1 perditesime
Arbëri

Përfundon seanca, dëshmitarja e ZPS-së vazhdon të dëgjohet nesër në Dhomat e Specializuara

Përfundon seanca, dëshmitarja e ZPS-së vazhdon të dëgjohet nesër në Dhomat e Specializuara
17:46

Përfundon seanca, dëshmitarja e ZPS-së vazhdon të dëgjohet nesër në Dhomat e Specializuara

Seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka vijuar e mbyllur në pjesët ku avokati mbrojtës i ka prezantuar dëshmitares disa artikuj të publikuar në mediat e Kosovës, në të cilët përmenden emra të personave, disa prej tyre serbë.

Gjatë seancës, avokati mbrojtës ka pyetur hetuesen rreth dorëheqjes së ish-zëvendësprokurorit të specializuar dhe nëse do të duhej mbaheshin nën vëzhgim zyrat e OVL-UÇK pas 7 shtatorit, në mënyrë që të parandalohej rrjedhja e dokumenteve të tjera.

Me urdhër të trupit gjykues, pjesët ku duhet të përmenden emra që lidhen me dëshmitarët apo dëshmitarët e mundshëm, nuk duhet të jenë publike.

Dëshmitarja e ZPS-së, Zenka Pumper i është përgjigjur mbrojtjes së Hysni Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees, ku shumë prej pyetjeve janë kundërshtuar nga prokuroja Valeria Bolici.

Një pjesë e pyetjeve dhe përgjigjeve për këtë artikull ka vijuar me përmbajtje të redaktuar.

Me vendim të trupit gjykues seanca ka vijuar e mbyllur në mënyrë që të lexohet artikulli i plotë.

Ndërsa sipas avokatit Rees, mbrojtjes po i vështirësohet marrja në pyetje meqë nuk mund të përdorin pseudonime në raste të caktuara.

Ai ka pyetur dëshmitaren rreth dorëheqjes së ish-zëvendësprokurorit të specializuar, Kwai Hong.

“Emrat e dy oficerëve serbë që përmenden aty, të cilët kanë qenë të pranishëm në disa prej masakrave që janë kryer nga regjimi i Millosheviqit, pra gazeta New Born mori dokumentet që tregonin se oficerët serbë janë kontaktuar nga Dhomat e Specializuara për të dhënë dëshmi kundër UÇK-së dhe anëtarëve të saj. Në paragrafin e fundit të artikullit thuhet zëvendësprokurori i specializuar ka caktuar mijëra dosje të cilat sipas raporteve përmbajnë edhe gjëra tjera, emra të dëshmitarëve të tjerë. Mund të na ndihmoni nëse është e saktë që Kwai Hong ka hequr dorë pas daljes së këtij informacioni?

Këtë pyetje e ka kundërshtuar prokurorja Bolici, megjithatë avokati Rees ka insistuar me pyetjen e tij.

“A mund ta konfirmoni që Kwait Hong hoqi dorë pasi dolën këto lajme në shtator, 2020?” – pyeti Rees.

“Nuk i di arsyet pse ai hoqi dorë nga ZPS”, tha dëshmitarja Pumper.

Në insistimin e avokatit Rees nëse mund ta konfirmojë se u largua Hong në shtator të vitit 2020, dëshmitarja Pumper tha: “Po me sa e di po”.

Ndër të tjera, avokati ka prezantuar një dokument që supozohet të jetë kërkesë për koordinim që i drejtohet një zyrtari serb dhe që mban nënshkrimin e ish-zëvendësprokurorit të specializuar Hong.

Gjatë kësaj seance, dëshmitarja Zenka Pumper ka bërë të ditur se nuk ka qenë e pranishme gjatë sekuestrimit të dokumenteve nga OVL-UÇK.

“Kur u zhvillua konferenca për shtyp më datë 7 shtator 2020 dhe në ditët në vijim u bë e qartë publikisht apo jo se të paktën ekzistonte potenciali që dokumente të tjera të një natyre të ngjashme t’i dorëzoheshin OVL-UÇK”, e pyeti Rees.

Dëshmitarja Pumper tha se ka lexuar transkriptet nga konferencat për shtyp.

Dëshmitarja Pumper: Kam lexuar në transkriptet e konferencave për shtyp.

Gjatë seancës, avokati Rees ka pyetur dëshmitaren, meqë është hetuese me 20 vjet përvojë pune, se a do të duhej të mbaheshin nën vëzhgim zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së pas ditës së parë kur janë dërguar dokumente, në mënyrë që të parandalohej rrjedhja e dokumenteve të tjera.

“Kundërshtim, kjo pyetje del jashtë objektit të pyetjeve që pala mbrojtëse i ka bërë dëshmitares”, tha prokurorja Bolici.

E dëshmitarja Pumper tha se po të ishte e ngarkuar me detyrën për të koordinuar këtë, do të shqyrtonte çdo opsion edhe mbajtjen në vëzhgim të gjyrave.

Dëshmitarja Pumper: Nëse do të më ishte ngarkuar detyra për të koordinuar këtë mund të kisha marrë parasysh çdo opsion, me gjasë nëse do të ishte e nevojshëm edhe mbajtjen nën vëzhgim.

Kjo është dita e tretë e dëshmisë së Zenka Pumper, koordinatore e hetimeve në ZPS.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj kanë marrë pjesë në seancë me prezencë fizike.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. /KSP

11:13

Mbrojtja kërkon lirimin e Gucatit nga paraburgimi

Përmes një parashtrese drejtuar trupit gjykues, mbrojtja e Hysni Gucatit ka kërkuar lirimin e këtij të fundit nga masa e paraburgimit.

Gucati po akuzohet bashkë me Nasim Haradinajn për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, gjykimi në këtë rast ka nisur më 7 tetor, kurse më 18 tetor dëgjimi i dëshmitares së parë, e cila dëshminë e saj po e vazhdon edhe sot.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi