Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar pjesë të raportit të Progresit të BE-së për Kosovën. Në Interaktiv të KTV-së, ajo ka thënë se për një raport të tillë ka nevojë edhe Bashkimi Evropian.
“Jo vetëm Kosova ka nevojë për Raport të Progresit, por ndoshta edhe BE-ja ka nevojë për një raport progresi në raport me zgjedhimin dhe mospërmbushjen e premtimeve të dhëna karshi Kosovës. Është absurde që më 2021 ende flasim për liberalizimin e vizave, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”, ka thënë ajo.
Sipas Çitakut, ky raport këtë vit nuk ndryshon fare nga raportet e kaluara, teksa tha se ka një vërejtje shqetësuese për Kosovën.
“Komisioni Evropian ka shfaqur pafuqinë e vet në raport me vendet anëtare të BE-së. Ne duhet të marrim vërejtjet, t’i shndërrojmë në hapa veprimi. Ky raport nuk ndryshon fare nga raportet e mëhershme, megjithatë është një vërejtje shqetësuese në këtë rast që ka të bëjë me pavarësinë e gjyqësorit. Për herë të parë në një formë të tillë Komisioni Evropian sugjeron se mënyra se si Qeveria e Kosovës i është qasur vetingut është e padobishme, pra ka mospajtueshmëri për modelin”.
Çitaku shtoi se Qeveria nuk duhet të ketë dorë fare në procesin e vetingut, pasi sipas saj ky proces “duhet të bëhet nga komisione dhe mekanizma që janë të pavarur”.