Arbëri

Kosova kërkon aleancë rajonale kundër tensionimeve që nxiten nga Serbia

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në Tiranë i ka bërë thirrje Shqipërisë që bashkë me vende të tjera të rajonit të bëhet pjesë e një aleance që do t’i kundërshtojë tensionimet që po ngre Serbia
 

“Duhet të jemi shumë të ndërgjegjshëm dhe shumë të kujdesshëm që këtë paqe të brishtë që e kemi në rajon ta forcojmë dhe të gjithë së bashku të ndikojmë që të mos cenohen paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë. E them këtë, sepse kemi nevojë për një koordinim më të mirë të të 5 shteteve të rajonit karshi Serbisë dhe kemi nevojë për një bashkëpunim më përmbajtjesor në të gjitha proceset rajonale”, tha ministrja Gërvalla-Schwartz, pas takimit me homologen Olta Xhaçka

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, kërkoi të hënën në Tiranë në krah të homologes shqiptare Olta Xhaçka, aleancë dhe koordinim kundër tensionimeve që nxit Serbia jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera të rajonit.

Kryediplomatja Gërvalla- Schwarz ka filluar të hënën një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku së pari është pritur nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, dhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Ndërsa pas takimit me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dy zyrtaret mbajtën edhe konferencë për media.