Arbëri

Zgjedhjet lokale: Mbi 40 mijë qytetarë mund të votojnë për herë të parë

Më shumë se 1 milionë e 800 mijë qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e sotme komunale. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë proces zgjedhor, duke përfshirë shpërndarjen në secilën komunë të materialit zgjedhor. Fushata zgjedhore që i parapriu votimeve të sotme, sipas monitoruesve të zgjedhje, ka qenë e qetë, e përbërë me oferta të pasura programore, por edhe jashtë kompetencave, përderisa nuk janë respektuar kufizimet kundër përhapjes së COVID-19

Dyzet e njëmijë e dymbëdhjetë është numri i qytetarëve që sivjet kanë mbushur 18 vjet. Sot, ata do të kenë mundësi të votojnë për herë të parë, në zgjedhjet komunale. Bëjnë pjesë në mesin e 1 milion e 885 mijë e 448 personave që kanë të drejtë të votojnë për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e tyre brenda kuvendeve komunale.

E, materialet të cilat u nevojiten qytetarëve për të votuar në këto zgjedhje lokale, janë shpërndarë në të gjitha komunat e vendit një ditë më parë. Për garën e kryetarëve të komunave janë shtypur 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, po aq sa edhe për kuvendet komunale.

5.649 pako me fletëvotime nga mërgata

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet që procesi të zhvillohet pa ndonjë pengesë.

“Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur rreth 187 mijë fletëvotime më pak se votues apo rreth 10 për qind. Kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat janë mbajtur vetëm pak muaj më herët, KQZ-ja kishte shtypur rreth 178 mijë fletëvotime më pak se sa numri i votuesve”, ka bërë të ditur Elezi.

E premtja ka qenë dita e fundit e afatit për dërgimin e fletëvotimeve nga mërgimtarët, ndërsa kanë arritur gjithsej 5 mijë e 649 pako me fletëvotime.

Sipas kryeshefit të sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë proces. “Do të punohet me dy ndërrime dhe ky proces do të zhvillohet në objektin, të cilin e kemi në Ministrinë e Infrastrukturës”, ka thënë Ahmetaj.

Për këto zgjedhje, KQZ-ja ka certifikuar 89 subjekte politike, nga të cilat 32 janë parti politike, një koalicion, 33 iniciativa qytetare dhe 23 kandidatë të pavarur.

Nga numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar, janë 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5.198 kandidatë për këshilltarë komunalë.

Premtime edhe jashtë kompetencave

E shtuna ka qenë heshtje zgjedhore, pasi që partitë politike përmbyllën të premten fushatën zgjedhore prej 30 ditësh, e cila nisi më 16 shtator. Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV) e ka vlerësuar fushatën si të qetë, me ofertë të pasur programore, por me neglizhencë të masave anti-COVID.

Eugen Cakolli nga DnV-ja, ka thënë në një konferencë për media të shtunën se disa prej subjekteve politike që u zotuan për shkurtimin e ditëve të fushatës sa i përket zbatimit të masave anti-COVID, nuk e bënë një gjë të tillë.

“Fushata zgjedhore fillimisht nisi me takime të grupeve të vogla të qytetarëve dhe me respektim relativisht të kënaqshëm të masave, megjithatë respektimi i tyre sidomos sa i përket numrit të pjesëmarrësve në ditët e fundit pothuajse u braktis në të gjitha ngjarjet e organizuara nga subjektet politike”, ka thënë Cakolli,

Për shkak të kufizimeve kundër pandemisë, një pjesë e madhe e fushatës u zhvillua në mënyrë digjitale, por, sipas Cakollit, ka munguar transparenca për koston financiare këtyre fushatave.

Investimet kapitale ishin kryefjala e programeve politike të shumicës së kandidatëve, por sipas Rrezarta Delibashzade – Krasniqit nga DnV-ja, ka pasur premtime që janë jashtë kompetencave të kryetarëve të komunave.

“Edhe në këto zgjedhje nuk kanë munguar rastet kur kandidatë të caktuar kanë dhënë premtime apo kanë përfshirë në programet e tyre çështje që janë kompetencë e nivelit qendror. Këto premtime kanë ardhur kryesisht nga kandidatët në radhët e subjektit politik që udhëheq me Qeverinë, të cilët kanë ndërlidhur zbatimin e projekteve të caktuara me ndihmën potenciale të ofruar nga ekzekutivi”, ka treguar ajo.

Pritjet për dalje masive në komunat me shumicë serbe

Marko Trajkoviq nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë ka thënë se në komunat e banuara me shumicë serbe pritet të ketë dalje masive për të votuar. Trajkoviq e lidh këtë vlerësim me tensionet e fundit në veri.

“Nga të gjitha partitë politike, është mbajtur fushatë mjaft e mirë ku të gjithë përfaqësuesit politikë shkonin shtëpi më shtëpi dhe prezantonin programet e tyre. Sa i përket përqindjes së daljes, për këtë nuk kemi punuar ndonjë analizë të madhe, por që sigurisht ngjarjet që ndodhën në javët e fundit në veri të Kosovës, sigurisht që do të ndikojnë në dalje më të madhe, posaçërisht në veri të vendit”, ka thënë Trajkoviq.

Pesëmbëdhjetë ankesa nga subjektet politike kanë shkuar në adresë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë fushatës. Dymbëdhjetë prej ankesave për parregullsi gjatë fushatës janë vendosur, ndërsa tri të tilla janë në procedurë të shqyrtimit. Tri ankesa janë aprovuar e të cilat kanë rezultuar me dënime me gjoba, një ankesë është përcjellë për në Komisionin e Pavarur të Mediave. Të tjerat janë refuzuar.