Duke folur për tensionet e fundit të shkaktuara në veri të Kosovës gjatë aksionit anti-kontrabandë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “ka parashikuar” veprimet e ardhshme të autoriteteve të Kosovës.
Të mërkurën, në katër lokacione ndërhyri Policia e Kosovës në përpjekje për të luftuar kontrabandën. Ndër lokacionet ishin qytetet në veri të vendit. Aty Policia nuk u mirëprit, por u sulmua nga serbët që kundërshtuan ndërhyrjen. Tensionet përfunduan me lëndim të disa policëve, ndërsa shumica dërrmuese e të arrestuarve ishin shqiptarë.
Tani në një intervistë për “TV Prva”, Vuçiq ka parashikuar se “Prishtina do të prodhojë edhe një aksion sikur ky”.
“Do të dërgojnë njësitet policore në një vend me shqiptarë për të thënë se kjo është luftë ndaj korrupsionit dhe krimit”, ka aluduar ai. “Ata mendojnë që ne jemi të gjithë budallenj dhe mund të na shesin rrëfimin kundër krimit e korrupsionit.”
“Erdhën të armatosur (pjesëtarët e Njësisë Speciale) deri në dhëmbë për të kapur ‘Fanta’ dhe ‘Coca-Cola’. A ju kujtohet treni? S’e kanë parë kurrë. Ne patëm bërë krim të tmerrshëm sepse dërguam një tren. Patën kidnapuar dhe hedhur përtokë Marko Gjuriqin për të thënë se ‘kishin të drejtë, sepse s’kaloi në rrugë legale’. Por ai kaloi në rrugë legale. Të huajt e justifikuan rrahjen brutale, nuk më intereson për Prishtinën. Ata mund të dërgojnë ROSU-n në veri, e ne s’mund të pikturojmë një tren me fotografi të manastireve tona?”, ka thënë ai.
Vuçiqi është ankuar se çdo veprim që “Prishtina po e bën, po e bën në pajtim me Britaninë e Madhe”.
“Jam në dijeni për pasojat kur e them këtë, por kjo është e vërtetë”, ka shtuar ai.
Edhe një herë ai ka përsëritur kërkesën që të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se “është obligim ndërkombëtar që është nënshkruar”.