Një fushatë vetëdijësuese ka ndërmarrë Beogradi zyrtar për t’i mobilizuar serbët e zhvendosur nga Kosova që të votojnë edhe fizikisht për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje e kanë ndërlidhur me themelimin e Asociacionit që, sipas tyre, mund të bëhet vetëm duke mbështetur Listën Serbe
Nga paralajmërimi për bojkot tani Beogradi ka ndërmarrë fushatë mobilizuese në funksion të rritjes së votës për Listën Serbe, në javën e fundit të fushatës zgjedhore. Duke iu referuar si persona të zhvendosur brenda territorit të Serbisë, nëpërmjet një videoje u është kërkuar atyre që të votojnë masivisht në zgjedhjet e 17 tetorit.
“Me kërkesën e qytetarëve tanë që jetojnë në Kosovë dhe Metohi, Republika e Serbisë fton personat e zhvendosur brenda vendit nga krahina jugore, të vendosur përkohësisht në Serbinë qendrore, që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme të caktuara për 17 tetor," thuhet në një video të publikuar nga Komisioni serb për refugjatët.
Aty është postuar edhe një numër telefoni, ku mund të kërkohet ndihmë si të votojnë në Kosovë.
Mediat serbe po ashtu kanë raportuar se do të sigurohet transporti me autobus në qendrat e votimit në Kosovë. Nisjet janë planifikuar të dielën herët në mëngjes nga të gjitha qytetet kryesore, përveç Beogradit.
Thirrje të njëjtë u ka adresuar drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të zhvendosurve serbë në Jagodinë. Sipas tij, Lista Serbe duhet t’i fitojë 10 komunat që popullohen me shumicë serbe, në mënyrë që të përmbushet zotimi për themelimin e Asociacionit.
“Kështu, ne e mbajmë zotimin për formimin e Bashkimit të Komunave Serbe, sepse ato do të përfaqësojnë një kornizë për sigurinë kolektive dhe të drejtat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë ai.
Por vetëm dy muaj më herët, Lista Serbe kishte përmendur mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve. Ndodhi kjo pas konfirmimit të dënimit për deputetin e këtij subjekti, Ivan Todosojeviq, i cili masakrën e Reçakut e kishte quajtur trillim.
Përveç mbështetjes shtetërore që po i ofron Listës Serbe, zyrtarë nga Beogradi kanë përuruar edhe objekte për llogari të sistemit që Prishtina e konsideron ilegal.
Prej vitit 2013, kur për herë të parë u mbajtën zgjedhjet edhe në katër komunat veriore, raporte vendore e ndërkombëtare kanë konstatuar parregullsi, me presione e shantazhe që të votohet vetëm Lista Serbe.
Bekim Salihu nga Instituti GAP thotë se Beogradi është i interesuar të mos e lërë asnjë subjekt tjetër politik përveç Listës Serbe.
“Rrjedhimisht kjo është e vërtetuar edhe nga zgjedhjet e kaluara nacionale, Lista Serbe ka manipuluar dhe ka shtyrë qytetarët që të votojnë në formë të caktuar dhe për kandidatë të caktuar. Ky është një veprim që bie ndesh edhe me Kodin Penal të Kosovës, por edhe me parimet dhe rregullat demokratike”.
Ambient të njëjtë politik edhe për zgjedhjet lokale të tetorit është duke krijuar Serbia, pas përçarjeve brenda Listës. Njëri ndër eksponentët e hershëm të këtij subjekti, Branimir Stojanoviq, ka vendosur të kandidojë si i pavarur për kryetar të Komunës së Graçanicës.
Lista Serbe e akuzoi atë për ndarje të popullit serb në Kosovë, ndërsa Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me komunikatë zyrtare tha se vetëm kandidatët e Listës Serbe do të kenë mbështetjen e shtetit të Serbisë.
Bekim Salihu (GAP) e sheh të domosdoshme edhe ndërhyrjen e institucioneve, në funksion të shmangies së presioneve nga Lista Serbe.
“Institucionet e Kosovës do të duhej të siguronin që vota e qytetarëve të jetë e fshehtë dhe e shenjtë. Rrjedhimisht nga kjo të mos lejojë që të ketë presione dhe të ketë ndikime nga jashtë, por edhe nga brenda në raport me votues të caktuar”.
Mbytja e pluralizmit partiak në mesin e serbëve së fundi u denoncua edhe nga politikanë jashtë Listës Serbe.
Politikani Nenad Rashiq, i cili ka qenë pjesë e proceseve në të kaluarën nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje për shkak të ambientit aktual.
Lista Serbe orkestroi edhe votimin në mesin e komuniteteve të tjera. Me dyshimin se zgjedhjet në komunat ku udhëheq Lista Serbe janë orkestruar duke votuar një iniciativë rome dhe një tjetër boshnjake, organet përgjegjëse në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit kishin anuluar mijëra vota në ato komuna. Romani Iniciativa kishte arritur të merrte një ulëse në Kuvend nga komuniteti egjiptian. Ajo u raportua se është e afërt me Listën Serbe dhe se shumë prej votave i ka marrë në vendbanimet me shumicë serbe. Në rezultatet preliminare ishin ankuar disa parti të komuniteteve, ndërsa vendimi i PZAP-së dhe Supremes nuk ishte në favor të të gjithave. Ajo ua miratoi ankesat vetëm disa partive.