Arbëri

Hyseni: Borrelli nuk mund të sillet si prokuror apo komandant policie në Kosovë

Foto: Driton Paçarada / Koha

Ish-kryenegociatori i Kosovës, Skender Hyseni, ka reaguar ndaj deklaratave të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.

Borrell të mërkurën pas aksionit të Policisë dhe Doganës, përfshirë edhe në veri të Kosovës, kishte thënë se duhet ndalur incidentet e dhunshme në veri të Kosovës, ndërsa veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme.

Ky postim i Borrellit në T]itter është përcjellë me reagime të shumta, përfshirë edhe nga raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

Hyseni ka thënë se janë rritur dilemat nëse Borrell ka kredibilitetin për të qenë ndërmjetës i paanshëm në dialogun Kosovë – Serbi.

“Borrell, me deklaratën e tij të pakuptimtë rreth veprimeve operative të organeve të drejtësisë së Kosovës në veri, me apo pa vetëdije, u vu në mbrojtje të krimit në një pjesë të vendit tonë. Tërësisht e papranueshme, kjo deklaratë ishte si "një referim penalltie kundër Kosovës, 25 metra larg portës, në minutën e nëntëdhjetë të lojës". Pyetja thelbësore që duhet shtruar këtu është nëse Borrell ka kredibilitetin për të qenë një ndërmjetës i paanshëm në dialogun Kosovë-Serbi. Pas deklaratës së djeshme kjo dilemë bëhet akoma më e madhe. Mirëpo, më parë se nga ne, përkatësisht nga qeveria e Kosovës, kjo pyetje duhet të shtrohet nga Presidenti Joe Biden, Presidenti Emmanuel Macron, Kancelarja Angela Merkel, Kryeministri Boris Johnson, dhe zyrtarë të lartë të BE-së, sepse Kosova nuk e ka fuqinë e ndikimit e edhe më pak të vendimmarrjes në ketë çështje. Borrell nuk mund të sillet sikur të ishte prokuror apo komandant policie në Kosovë. Me deklaratën e djeshme, duke u vënë në anën e krimit, Borrell shkeli edhe mbi njërën nga vlerat themeltare të BE-së për rend e ligj. Ai duhet ta di se organet e rendit dhe ligjit në Kosovë janë sovrane dhe nuk duhet te marrin miratimin e askujt për të luftuar krimin në territorin e saj. Aq më pak miratimin e Serbisë, e cila, në fakt edhe është sponsori kryesor kriminalitetit në një pjesë të vendit tonë”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Hyseni ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi duhet të mbyllet me marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe njohje të ndërsjellë të vendeve në kufijtë ekzistues.

Ai ka thënë se çështja thelbësore mes Kosovës e Serbisë duhet adresuar pa u vonuar. Hyseni ka thënë se çdo formë këmbimi territoresh apo prekje kufijsh është i paprapnueshëm dhe i rrezikshëm.

“Kontesti Kosovë Serbi, nuk duron zgjidhje parciale. Qeveria e Kosovës nuk duhet të zbatojë asnjë marrëveshje apo zgjidhje parciale. Pra, një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë, është e domosdoshme në mënyrë që këto dy vende të mund të zbatojnë marrëveshjet parciale për çështje të veçanta. Pra, dialogu duhet të vazhdojë dhe të mbyllet me njohje të plotë të shtetit të Kosovës nga Serbia. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me një vendim bindës, ka konkluduar më 22 korrik 2010, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë normë të aplikueshme të Drejtës Ndërkombëtare. Pra, Kosova është shtet i pavarur brenda kufijve të saj ekzistues. Ky është një realitet politik i pakthyeshëm dhe i panegociueshëm. Prandaj, çfarëdo kontributi dhe ndihmese për arritjen e njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi, që mëton të merret seriozisht, duhet të ndërtohet mbi këtë premisë fundamentale”, ka shkruar Hyseni.