Arbëri

Komunat kërkojnë heqjen e orës policore nga 17 tetori

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që nga 17 tetor të shfuqizohet vendimi për orë policore.

Asociacioni përmes një shkrese drejtuar ushtrueses së detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka kërkuar po ashtu që qytetarët kur janë vetëm në rrugë të mos obligohen të mbajnë maskë.

Më 17 tetor, do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.

"Falë punës së përbashkët mes institucioneve të Kosovës, fatmirësisht, numri i rasteve infektuese me Covid-19 është në rënie e sipër, ashtu edhe i rasteve me fatalitet. Për këtë arsye por edhe për faktin se të dielën kemi zgjedhjet lokale Kryetarët e Komunave mendojnë që; 1. Ka ardhur koha që të hiqet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve (ora policore) nga data 17 tetor 2021. 2. Mendojmë se do të ishte shumë e arsyeshme që të hiqet edhe ndëshkimi i qytetarëve në rastet kur një person i vetëm është në lëvizje dhe nuk bartë maskën. Këto do të duhej të ndodhnin edhe për arsyet si: a. Ditën e 17 tetorit mund te këtë komuna që kryetarët fitojnë pa balotazh, andaj do të jetë pothuaj e pamundur që në ato komunat të ndalen festimet e mundshme të qytetarëve”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Në kërkesë jepen edhe arsye të tjera për heqjen e këtyre masave anti-COVID.

“Duke ditur se procesi i numërimit të votave do të mund të vazhdoj deri natën vonë, Vëzhguesit dhe komisionerët, të cilët do të jenë në numër të konsiderueshëm, do të lëvizin edhe pas orës 22.00. Në anën tjetër, dënimet dhe ndëshkimet e mundshme të Policisë dhe Inspektoratit të AUV për pjesëmarrësit e festimeve zgjedhore mund të shkaktojnë pakënaqësi tek qytetarët dhe mund të kemi situata të pakëndshme deri në ndonjë provokim të ndonjë incident i cili do t'i zbehte organizimin e zgjedhjeve lokale, për të cilën Kosova është e njohur në organizim të mirë të zgjedhjeve dhe pa incidente”, thuhet në kërkesën e Asociacionit.