Arbëri

“Vendimi për rrymën në veri dëshmoi vjedhjen nga institucionet”

Shpalljen të kundërligjshëm të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për përfshirje në fatura të qytetarëve shpenzimet e rrymës nga katër komunat veriore, Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore po e cilëson si dëshmi të vjedhjes nga institucionet e vendit.

Të hënën Gjykata Themelore në Prishtinë kërkoi anulimin e vendimit dhe ka detyruar KEDS-in që të bëjë kthimin e mbi 40 milionë eurove për t’ua kompensuar dëmin konsumatorëve, të shkaktuar gjatë viteve 2012-2017.

Sipas Abazit, çështja e pagesave të rrymës së komunave veriore është shumë komplekse. Ai ka thënë se indirekt qytetarët e Kosovës prapë se prapë do të paguajnë për atë rrymë.

“Është çështje komplekse. Vendimi shpërfaq një të vërtetë të madhe, që institucionet tona në një formë na kanë vjedhur neve. Na kanë diskriminuar sepse kanë marrë pagesë nga ne për qytetarët në veri. Por kjo energji duhet barazuar në tregun e energjisë. Nëse energjia konsumohet nga një pjesë e qytetarëve duhet të kompensohet nga dikush. S’mund ta shkëputim veriun nga furnizimi i energjisë. Është vendim i vështirë, që qeveritë e kanë marrë njëra pas tjetrës, edhe kjo e fundit e ka bërë. Nëse ne do të kompensohemi si qytetarë çështja është se kush do ta bëjë këtë kompensim? KEDS-i mund të kthejë paratë, por KEDS-i do të kërkojë të barazohet sërish nga institucionet e Kosovës. Ne si konsumatorë po e marrim prapa këtë pagesë, por po e mbulon buxheti. Pra prapë ne si konsumatorë po e mbulojmë nëpërmjet buxhetit”, ka deklaruar ai në emisionin SOT në KTV.

Sipas Abazit, nuk pritet të ketë përparim në këtë drejtim veç faktit që “konsumatorët do të marrin të drejtat që i kanë sipas ligjit”.

“Ne kemi të drejtë për kompensim në rastet kur shpërfaqet që neve na është vjedhur energjia, apo kjo pjesë e parave për një energji që ne nuk e kemi konsumuar, si raste individuale, por si qytetarë që paguajmë taksa, prapë ato do të përdoren indirekt për të paguar këtë pjesë të energjisë. Është problematikë çështja për integrimin e veriut dhe e marrëveshjen e Brukselit për licencues për veri që do të monitorohet nga ZRRE-ja”, ka thënë më tej ai.

Sipas tij, përballë mundësisë për rritje të çmimeve për shkak të ngritjes në nivel ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës është dashur të investonte paraprakisht në ulje të kërkesës për energji. Këtë ka thënë se mund ta bënte nëpërmjet investimeve në reformim të procesit të ngrohjes te qytetarët që gjatë dimrit çon në pikun e shpenzimeve të rrymës.

 
Rritja e çmimit të energjisë në Kosovë, flasin ekspertët

Rritja e çmimit të energjisë në Kosovë, flasin ekspertët

Posted by Koha.net on Monday, October 11, 2021