Arbëri

“Dikur i shihja armët opsion, sot jam për një zgjidhje tjetër” - protestuesi serb kritikon ndërhyrjen e politikës në veri

"Në një pikë karburanti të braktisur, gjysmë milje nga pika kufitare Jarinjë, mes Kosovës dhe Serbisë, një flamur gjigant serb ishte vendosur në çati. Një grup të rinjsh ulur në arkat e përmbysura të birrave, duke shkëmbyer shishe me ujë dhe raki, të bëra në shtëpi, në gota të vogla plastike."

Kështu e nis reportazhin mediumi i njohur britanik, The Guardian për Kosovën, gjegjësisht veriun, dhe për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

The Guardian përshkruan bllokadën 12 ditore në Jarinjë, ku protestues serbë kishin 'izoluar' rrugët me kamionë dhe automjete të mëdha, derisa në anën tjetër, Njësia Speciale e Kosovës, po ruante rendin. Mbikëqyrja vinte edhe nga forcat e KFOR-it, me helikopterë.

"Me gjithë që skenat pranë fshatit Jarinjë mund të duken misterioze për botën, kjo për 12 ditë, ka qenë vija e parë e një përplasjeje të tensionuar mes Serbisë dhe Kosovës mbi identitetin dhe sovranitetin që ofron një kujtesë për botën më të gjerë, për tensionet e pazgjidhura në këtë rajon", thuhet në artikullin e mediumit britanik.

The Guardian shkruan për Milanin, një nga protestuesit në Jarinjë, që ka deklaruar se janë të lodhur nga zhvillimet politike, të cilat po ndikojnë në intensifikimin e tensioneve politike.

"Kur isha më i ri, isha për një lloj zgjidhjeje etnike - edhe nëse armët ishin opsion. Por, meqë jam i martuar dhe baba tani, mendoj ndryshe. Unë thjesht dua një zgjidhje”, është shprehur ai.

Tutje, The Guardian thekson djegien e Qendrës së Regjistrimit në Zubin Potok dhe tentim sulmin me granata në Zveçan. Sulmi në dy këto qendra u pa si nxitje dhe tensionim i situatës. U theksua roli i KFOR-it në misionin paqeruajtës, si dhe shtimin e trupave patrulluese në tërë Kosovën. Kjo me të vetmin qëllim: moslejimin e eskalimit të situatës. 

Për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, mediumi përmend procesin e dialogut, i nisur në vitin 2011. Që nga ajo kohë, gjërat thuhet se nuk kanë lëvizur shumë.

"Gjetja e një përgjigjeje të tillë ndaj realiteteve shpesh paralele, të jetuara krah për krah në rajon, ka qenë qëllimi përfundimtar i një procesi dialogu, të lehtësuar nga BE-ja, që nisi në 2011-n. Megjithatë, analistët thonë se ai kurrë nuk ka arritur të merret me çështjen qendrore: refuzimi i njohjes së Kosovës si shtet autonom i pavarur.”

Përktheu: E.Bujupaj