Arbëri

DnV rekomandon përfshirje më të madhe të kandidateve gra në fushatë

Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, përmes një konference për media, shpalosi të gjeturat kryesore nga vëzhgimi i gjysmës së parë së fushatës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Eugen Cakolli nga DnV theksoi se vëzhgimi i kësaj periudhe është bërë duke u fokusuar në pesë elemente kyçe, përfshirë respektimin e masave anti-COVID dhe rregullave zgjedhore, formatin e fushatës, ofertat politike, kandidaturat, duke përfshirë aty edhe aspektin gjinor, si dhe shpenzimet e kandidatëve të subjekteve politike.

Sipas DnV-së, përvoja e krijuar nga dy palë zgjedhjet paraprake në Kosovë në kohë pandemie, u ka dhënë kohën e nevojshme subjekteve politike që të adaptojnë strategjitë e tyre për rrethanat e reja, duke e orientuar fushatën e tyre kryesisht në platforma dixhitale.

“Gjithsesi nuk kanë munguar edhe aktivitetet zgjedhore me prani fizike të qytetarëve, ku po vërehet një dozë më e lartë përgjegjësie në respektimin e masave kundër COVID-19, për dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare të shkurtit 2021. Sidoqoftë, respektimi i distancës sociale dhe vendosjes së maskave gjatë këtyre aktiviteteve lë shumë për të dëshiruar, sidomos në takime në hapësira të mbyllura që subjektet dhe kandidatët po mbajnë në zonat rurale”, u tha nga Cakolli.

Ai tha se rrjetet sociale, e sidomos platformat “Facebook” dhe “Instagram”, së bashku me debatet televizive, janë dy kanalet më të përdorura për publikimin e platformave politike. Megjithatë, shtoi se, shpenzimet e bëra nga kandidatët për sponsorizime në rrjetet sociale nuk janë bërë publike, ndonëse është evidente që numri i artikujve të sponsorizuar është rritur ndjeshëm gjatë kësaj fushate.

“Sa i përket përmbajtjes, investimet kapitale janë kryefjala e programeve të shumicës së kandidatëve. Po ashtu, është vërejtur një kalim nga ofrimi i premtimeve që në esencë janë të karakterit mirëmbajtës të gjendjes aktuale, tek projektet transformuese. Një vlerë e shtuar e programeve të një pjese të konsiderueshme të kandidatëve janë edhe politikat ambientaliste, të cilat kanë gjetur hapësirë dukshëm më të madhe në këtë fushatë”, tha tutje.

Cakolli tha se kandidatë ka pasur raste kur kanë dhënë premtime apo kanë përfshirë në programet e tyre çështje që janë kompetencë e nivelit qendror.

Shtoi se nuk pati ndonjë rast serioz të përdorimit të gjuhës së urrejtjes mes kandidatëve, përveç rasti i organizimi i një lloj proteste nga ana e përkrahësve të një subjekti politik (LVV), kundër kandidatit nga radhët e një subjekti tjetër (PDK).

“Lidhur me kandidaturat, DnV vlerëson që, sikur edhe në proceset e kaluara zgjedhore, është vërejtur një koncentrim dukshëm më i madh i aktiviteteve të fushatës në promovimin e kandidatëve për kryetarë komunash, duke lënë në hije kandidatët për kuvendet komunale. Kandidatët për kuvende komunale janë parë më shumë si “dekor” gjatë aktiviteteve apo takimeve të subjekteve politike. Gjithsesi, vlen të theksohet se është shënuar avancim sa i përket hapësirës mediale që u është ofruar kandidatëve për kuvendet komunale, me të cilët janë organizuar disa debate televizive”.

Në radhët e kandidatëve për kryetarë komunash, më shumë se gjysma e tyre (rreth 55%) janë kandidatë që nuk kanë garuar më parë. Kjo është e shprehur sidomos në kryeqytet, ku gjashtë nga shtatë kandidatët garojnë për herë të parë. Po ashtu, karakteristikë e kandidaturave është edhe garimi i kandidatëve për kryetarë njëkohësisht edhe si bartës të listave për kuvendet komunale. Rreth një e treta e kandidatëve për kryetarë komunash, përkatësisht 50 sosh, janë edhe bartës të listave për kuvendet komunale. Ndërsa, si bartës të listave për kuvendet komunale janë edhe pesë deputetë të Kuvendit, tre prej të cilëve janë edhe kandidatë për kryetar komune, del nga të gjeturat e DnV.

Jo të paktë ishin zyrtarët që nga pozita te tjera publike, kanë kandiduar.

“Kandidimi në zgjedhjet lokale i zyrtarëve që veçse janë zgjedhur apo emëruar në një pozitë tjetër të lartë publike, ka qenë fenomen i shprehur në këto zgjedhje. Ndër ta, kemi të paktën 12 deputetë dhe një ministër të cilët i janë futur garës për të parin e komunës. Ndërsa, ka edhe deputetë që garojnë edhe vetëm për kuvendin komunal”.

DnV-ja rekomandoi që edhe në pjesën e mbetur të fushatës, dinamizimi i saj të mos komprometojë nivelin e zbatimit të masave anti-COVID. DnV gjithashtu kërkoi që të ketë përfshirje edhe më të madhe të kandidateve gra në fushatë, sidomos në paraqitje mediale dhe debate. Sa i përket shpenzimeve të kandidatëve, kërkohet nivel më i lartë i transparencës, veçanërisht për shpenzimet e bëra në kuadër të fushatës dixhitale dhe në rrjete sociale.