15:59 - Pak minuta para orës 16 është përmbushur pika e parë e marrëveshjes së Brukselit për çështjen e targave. KFOR-i tashmë është vendosur në Jarinjë e Bërnjak, dhe në rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë s’ka më barrikada të protestuesve me kamionë e as pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Barrikadat u larguan të parat, para se të tërhiqej edhe Njësia Speciale. Tash në të dyja rrugët është situatë e qetë.
Rrugët ishin bllokuar nga serbët lokalë, që nga 20 shtatori, pasi Qeveria vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia. Sipas vendimit, makinat me regjistrim të Serbisë, duhej të hiqnin këto targa në hyrje të Kosovës, dhe të marrin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.
Megjithatë, delegacionet e dy shteteve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur marrëveshje më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.
Pikat për të cilat u arrit marrëveshja:
1. Sipas marrëveshjes, forcat e Njësisë Speciale të vendosura në Jarinjë e Bërnjak do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë më 2 tetor, nga ora 8:00 dhe kjo do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojnë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë. (E përmbushur)
2. Nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse (mbulimi i simboleve shtetërore), në pajtim me kornizën e dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe do të aplikohet si masë e përkohshme derisa të vendoset një masë e përhershme.
3. Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së dhe palët e Beogradit e Prishtinës, e do të kryesohet nga BE-ja, për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të bazuara në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i Grupit Punues do të mbahet më 21 tetor në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, Grupi Punues do të paraqesë zbulimet e saj për një zgjidhje të përhershme te formati i nivelit të lartë të Dialogut.
KOHA ka raportuar gjatë gjithë ditës nga vendi i ngjarjes. Raportimet në kohë reale u bënë nga gazetari Mehmet Krasniqi në Jarinjë, ndërsa nga Bërnjaku Valbona Bytyqi. Më shumë se 100 fotografitë e publikuara janë shkrepur nga Driton Paçarada.
15:40 Njësia Speciale largohet nga Bërnjaku, përcillet me brohoritje nga protestuesit
Pas largimit të barrikadave, edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është larguar nga Bërnjaku. Aty tashmë kanë ngelur forcat e KFOR-it. Në largim e sipër, Policia e Kosovës është përcjellë nga protestues që brohorisnin emrin e Serbisë.
15:00 Jarinja zhbllokohet: S’ka barrikada e Njësi Speciale, ngelet KFOR-i
Pas 13 ditësh rezistencë, serbët përfundimisht kanë larguar bllokadat e vendosura më 20 shtator. Kjo ka qenë edhe kërkesa e vetme e policëve ndaj protestuesve, para se të nisë largimi i Njësisë Speciale. Fillimisht serbët rezistuan, por pas diskutimeve u zmbrapsën. Pas largimit të të gjitha barrikadave u plotësua kërkesa e Policisë për të liruar rrugën që çon në pikëkalimin në Jarinjë. Tash, aty janë vetëm forcat e KFOR-it, që po bëjnë monitorimin e gjendjes.
Për dallim nga rruga në Jarinjë, në Bërnjak ende s’ka përfunduar zhbllokimi i gjithë bllokadës. Janë larguar tashmë disa kamionë, pas diskutimeve. Protestuesit që kanë qëndruar tash e 13 ditë aty, janë duke qëndruar pak metra para Njësisë Speciale e ata pritet të largohen së shpejti. Edhe këtu Policia ka refuzuar të largohet para protestuesve.
14:55 - Pas tërheqjes së protestuesve serbë dhe Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, në rrugën që çon në pikëkalimin kufitar në Jarinjë kanë ngelur vetëm pjesëtarët e KFOR-it dhe policë kufitarë, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel. Edhe në Bërnjak janë parë kamionë teksa largoheshin.

14:41 – Pas tërheqjes së protestuesve serbë, edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka nisur të largohet nga rruga që çon në pikën kufitare të Jarinjës.

14:22 - Nga Jarinja raportohet po ashtu se është zvogëluar edhe numri i protestuesve.
14:18 - Pas 13 ditësh qëndrimi në tendat në Jarinjë, protestuesit serbë kanë nisur largimin e tyre. Tashmë në rrugën që çon në pikëkalimin kufitar në Jarinjë nuk ka automjete të rënda, ndërsa protestuesit po qëndrojnë me vetura në skaje.

14:14 - Në Jarinjë është situatë e qetë. Serbët kanë larguar makineritë e mëdha, por janë duke qëndruar skaj rrugës me vetura. Pjesëtarët e KFOR-it janë jashtë rrugës, ndërsa Policia e Kosovës po qëndron në njërën korsi.
13:45 - Protestuesit e mbetur serbë në Jarinjë kanë nisur të tërheqin edhe kamionin e fundit nëpërmjet së cilit kishin shpallur në ditën e parë të protestës “Asociacionin e Komunave Serbe”. Ky simbol i ishte vënë një kamioni të bardhë, që të shtunën ishte i fundit që u largua nga rruga që çon në kufi. Protestuesit kanë kundërshtuar largimin e kamionit duke i dalë atij përpara. Me gjithë këtë kamioni është larguar.
13:30 – KFOR-i është duke monitoruar situatën në veri edhe me helikopterë. Situata në të dyja pikat është e qetë.
13:13 – Në rrugën në Bërnjak janë liruar të dyja korsitë për qarkullim, por nuk ka pasur largim të protestuesve. Po ashtu automjetet e tyre tashmë janë vetëm në skaje të rrugës.
12:52 - Policia e Kosovës ka tërhequr prapa automjetet me të cilat iu afrua protestuesve serbë. Pas komunikimit disa minutësh me pjesëtarë të KFOR-it dhe protestuesit serbë që kanë mbetur në numër të vogël pranë një kamioni ku shkruan “Asociacioni i Komunave Serbe”, Policia ka vendosur të tërhiqet prapa deri sa të lirohet krejt rruga.
12:46 – Policia ka tërhequr prapa automjetet me të cilat iu afrua protestuesve serbë.
12:41 – Policia e Kosovës është duke komunikuar vazhdimisht me KFOR-in dhe protestuesit serbë që kanë nisur të brohorasin “Serbia”.
12:17 – Barrikaduesit në Jarinjë nisin lirimin edhe të korsisë së dytë. Policia ndez veturat për largim po ashtu.
11:24 – Kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, ka thënë se lirimi i korsisë është bërë ashtu siç është kërkuar dhe se për hapat e ardhshëm do të lëvizin sipas udhëzimeve të KFOR-it. Ai ka thënë se largimi duhet të bëhet në të njëjtën kohë me Njësitë Speciale.
09:23 – Është liruar njëra korsi e rrugës edhe në Bërnjak. Nga rruga që çonte në pikë kufitare u larguan tri bllokadat.
08:35 – Nga Jarinja është raportuar se që nga mëngjesi kamionët e vendosur nga serbët kanë nisur të lironin njërën korsi të rrugës së bllokuar.
08:00 – Nga ora 8:00 e mëngjesit është parë koordinimi i Njësisë Speciale të Kosovës me KFOR-in në Bërnjak. KOHA ka siguruar pamje të diskutimit të komandantit taktik të Njësisë Speciale, Besart Ahmeti, me pjesëtarë të KFOR-it. Ahmeti e ka njoftuar KFOR-in se Policia do të qëndrojë në vend deri në fund të operacionit. Që nga mëngjesi ka pasur dhjetëra ushtarë të KFOR-it në këtë pikë kufitare.
Fotot nga Driton Paçarada/KOHA
{gallery}
Prej 20 shtatorit këto dy pika kufitare janë bllokuar nga serbët lokalë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.
Sipas vendimit, makinat me regjistrim të Serbisë, duhet të heqin këto targa në hyrje të Kosovës, dhe të marrin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.
Megjithatë, delegacionet e dy shteteve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur marrëveshje më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut, sipas së cilës nga 2 tetori do të largohen barrikadat.
Nga marrëveshja parashihet që largimi i barrikadave dhe Njësisë Speciale pritet të fillojë në ora 08:00 dhe të përfundojë jo më larg se në orën 16:00.
Pikat për të cilat u arrit marrëveshja:
1. Sipas marrëveshjes, forcat e Njësisë Speciale të vendosura në Jarinjë e Bërnjak do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë më 2 tetor, nga ora 8:00 dhe kjo do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojnë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.
2. Nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse (mbulimi i simboleve shtetërore), në pajtim me kornizën e dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe do të aplikohet si masë e përkohshme derisa të vendoset një masë e përhershme.
3. Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së dhe palët e Beogradit e Prishtinës, e do të kryesohet nga BE-ja, për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të bazuara në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i Grupit Punues do të mbahet më 21 tetor në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, Grupi Punues do të paraqesë zbulimet e saj për një zgjidhje të përhershme te formati i nivelit të lartë të Dialogut.