Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, e vlerëson të drejtë vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targa ndaj Serbisë.
Ai ka thënë se ky është një test i situatës në veri. Ndërsa ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka bërë mirë që ka synuar të bëjë implementimin në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në veri.
“Ka qenë gjendja në veri pak më e tensionuar sesa periudhave paraprake. Është një test i situatës atje. Mbetet të shihet se si do të zhvillohet tutje. Është vendim i drejtë nga institucionet e Kosovës. Masa ka qenë e drejtë për faktin se ka pasur asimetri në trajtim të qytetarëve në Kosovë dhe atyre në Serbi. Ka hapur mundësi të rishikohet pozicioni i palës tjetër e të rihapet kjo çështje. Qeveria ka bërë mirë që ka synuar ta bëjë të implementueshëm në gjithë territorin e Kosovës. E dimë se nga e kaluara çdo vendim i Qeverisë së Kosovës në raport me Serbinë ka sjellë reagime, sidomos në veri dhe ndoshta ky ka qenë vlerësimi që Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë e kanë bazuar dërgimin e Njësisë Speciale në veri. Njësia Speciale nuk është atje për të treguar forcën, por si përforcim për policët e thjeshtë, dogianierët e zyrtarë të institucioneve që punojnë atje”, ka thënë Vrajolli në Interaktiv të KTV-së.