Arbëri

Krasniqi fton partnerët ndërkombëtarë të reagojnë ndaj “veprimeve bllokuese të Serbisë”

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe NATO-s, të reagojnë ndaj qasjes së Serbisë në situatën e krijuar në veri, duke thënë se kjo e fundit ia ka kërcënuar Kosovës sovranitetin shtetëror.

Përmes një reagimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se Qeveria dhe institucionet e vendit duhet të koordinohen për veprime të rëndësishme, derisa ka theksuar se sulmet ndaj institucioneve në 24 orët e fundit, “nuk duhet lejuar që të jenë prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës”.

“Me mendje e zemër jam me policët e Republikës së Kosovës, të cilët, në një situatë aspak të lehtë dhe shqetësuese për sigurinë e tyre, për të gjashtën ditë me radhë po qëndrojnë në krye të detyrës, në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë. Në përgjegjësinë e qeverisjes, gjithmonë është e udhës që për vendime të rëndësishme, të ketë koordinim dhe strategji të qëndrueshme. Por vendimet legjitime të institucioneve të Kosovës, janë vendime sovrane të shtetit të Kosovës, të cilat nuk mund të bllokohen, e mbi të cilat nuk mund të instruktohet kërcenim mbi shtetin tonë”, ka shkruar i pari i PDK-së.

“Njëkohësisht, veprimet bllokuese dhe gjuha nxitëse e konfliktuoze e Serbisë ndaj shtetit dhe sovranitetit tonë, duhet të trajtohet seriozisht. I bëj thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe partnerëve tanë strategjik, që të reagojnë urgjentisht ndaj kësaj qasjeje, që përbën kërcenim të hapur ndaj sovranitetit tonë shtetëror dhe rendit tonë kushtetues.”