Arbëri

Kurti i përgjigjet Vulinit pasi ky e quajti “budalla”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, pak pasi ky e quajti “budalla”.

Teksa Vulin u shpreh se “nevojitet vetëm një budalla për ta ndezur luftën, dhe se ai person është kryeministri Kurti”, kreu i Qeverisë në Kosovë ka kujtuar të kaluarën e Vulinit për të “shpjeguar plotësisht se kush është ai”.

“Ministri në Serbi mjafton të thuhet se ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së Millosheviqit. Ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së Milosheviqit dhe u përkiste atyre zyrtarëve serbë që konsideronin se Millosheviqi nuk është mjaftueshëm radikal. Kjo e shpjegon plotësisht se për kë bëhet fjalë dhe çka do të thotë ai”, ka thënë Kurti në konferencë për media.

Vulin e fyeu Kurtin kur u pyet për zhvillimet e fundit në veri dhe tensionet e shkaktuara.

Sot në Zubin-Potok u dogj ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa ajo në Zveçan u sulmua. Incidentet kanë ndodhur në ditën e gjashtë të tensioneve në veri, qëkur serbët kanë bllokuar rrugët kufitare në Bërnjak e Jarinjë, pasi që Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Republikës së Kosovës.