Arbëri

Kurti për sulmet në Zveçan e Zubin Potok: Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmet në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe në Zveçan, janë veprime të nxitura nga Serbia.

Të shtunën, në Zubin Potok është djegur ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa në Zveçan ka pasur sulm, sipas Kurtit, me bomba dore, në ndërtesën e regjistrimit të automjeteve, por që ato s’kanë shpërthyer.

Teksa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cilësoi ato sulme akte kriminale me elemente terroriste, kryeministri ka thënë se sulmuesit po nxiten nga Serbia. Madje sipas tij, ky është provokim për “konflikt serioz ndërkombëtar”

“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, ka thënë Kurti në një reagim në Facebook.

Kurti ka thënë se sulmet e tilla s’do të tolerohen.

“Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Incidentet kanë ndodhur në ditën e gjashtë të tensioneve në veri, me serbët që kanë bllokuar rrugët kufitare në Bërnjak e Jarinjë, pasi që Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Republikës së Kosovës.