Arbëri

Rusia reagon pas reciprocitetit të targave

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka reaguar pas situatës së krijuar në Kosovës pasi që Qeveria vendosi reciprocitet të targave të automjeteve ndaj Serbisë.

Shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë duhet të ndërrojnë targat, të marrin targa të përkohshme të Kosovës, ngjashëm siç bëjnë tash e shumë vite shtetasit e Kosovës kur hyjnë në Serbi.

Kjo ka ngjallë reagime nga serbët në veri të Kosovës, që kanë bllokuar rrugën në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka thënë se është e shqetësuar me situatën e krijuar, ndërsa ka fajësuar shqiptarët, duke thënë se po përpiqen të pushtojnë zonat e populluara nga serbët, ndërsa Kosovën e ka quajtur krahinë autonome serbe.

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë në një komunikatë në faqen zyrtare u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës të tërheqin forcat policore nga veriu e të përkushtohen në zgjidhje të situatës.

“Ne presim që mbrojtësit amerikanë dhe evropianë të Prishtinës më në fund të kenë një efekt kthjellues tek mbrojtësit e tyre, në mënyrë që të shmangin ndonjë skenar destruktiv që kërcënon gjithë rajonin”, thuhet në reagimin e MPJ-së së Rusisë.

Rusia ka kritikuar KFOR-in dhe EULEX-in duke thënë se sërish ka dështuar të përmbushë misionin e ruajtjes së paqes e sigurisë. E ka kritikuar BE-në se nuk po ndërmerr hapa të prekshëm.

“BE-ja, e emëruar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për të ndërmjetësuar dialogun Beograd – Prishtinë, nuk ka ndërmarrë hapa të prekshëm për të arritur ndryshim të mirë, ndërsa udhëheqësit e Kosovës refuzojnë kategorikisht t’i përmbushin detyrimet e tyre, përfshirë edhe atë kryesor që është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe”, thuhet në reagimin e MPJ-së së Rusisë.