Arbëri

Formohet Komisioni i ekspertëve për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Në mbledhjen e dytë të Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” u formua Komisioni i ekspertëve që do të përgatisë bazën e nevojshme profesionale për vendimmarrjen e Komitetit.

Në hapje të mbledhjes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me themelimin e Komisionit të Ekspertëve, procesi do të fitojë një tjetër dinamikë.

“Mbledhjet tona do të jenë të rregullta, vendimet e veprimet tona të bazuara në studim e profesionalizëm, diskutim e konsensus. Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit. Një kompleks memorial që do të rrëfejë dinjitetshëm dhe me standard të arrirë artistik rezistencën e popullit dhe luftën për liri, pavarësi e bashkim”, ka thënë Kurti.

Ai propozoi që javëve në vijim, në koordinim me Kryetarin e Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari dhe anëtarët e tjerë të familjes Jashari, Komiteti ndër-ministror në përbërjen e tij të plotë të zhvillojë një vizitë në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

Duke folur për qëndrueshmërinë e ndërtesave brenda kompleksit memorial, kryeministri tha se janë angazhuar inxhinierët më të mirë të Kosovës, profesorët e Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku njoftoi Komitetin mbi Raportin e vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, që u miratua unanimisht.

Me miratimin e këtij raporti, përfshirë të gjeturat dhe rekomandimet e tij, Komiteti mandatoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme, përkatësisht ndërhyrjet emergjente në ndërtesat përkatëse.