Arbëri

Kandidatët për kryetar të Mitrovicës s’merren vesh për kafe në veri

Descriptive Text

Kandidatët për kryetar të Komunës së Mitrovicës nuk janë marrë vesh për të pirë kafe në veri të vendit pas situatës së tensionuar në veri.

Kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune, Armend Agolli, të martën bëri thirrje që bashkë me kandidatin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, të takohen në orën 9:00 të mërkurën në një kafene në veri, pas situatës së tensionuar që po mbizotëron aty për shkak të bllokimit të rrugëve kufitare nga serbët, për shkak të reciprocitetit për targa. Të njëjtën thirrje për kundërkandidatët e bëri edhe Agim Bahtiri, kryetari aktual. Megjithatë, ky thirrjen e bëri për në orën 10:00.

E sot, kandidatët për kryetar të Mitrovicës kanë mbajtur takime të ndara me kandidatin për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, dhe bartësin e listës për asamble komunale nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Skënder Sadiku. Me Agollin ishte edhe Hamza, ndërsa Bahtiri ishte i vetëm. Të dyja takimet u mbajtën në kafenenë e njëjtë.

“Një kafe me doktorin Armend Agolli dhe Skënder Sadikun, ku gara partiake pushoi, sepse interesi nacional është më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm. Qytetarët tanë meritojnë të jetojnë në paqe, me perspektivë më të mirë. Mitrovica na bashkon!” ka shkruar Hamza në Facebook.

Ndërkaq, Bahtiri e ka konsideruar “për ngut kafen e mëngjesit” të rivalëve.

“Pas mbledhjes të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në komunën e Mitrovicës, shkova për të pirë kafe në veri të Mitrovicës me kandidatin për kryetar komune të 'Iniciativës Qytetare Mitrovica', Erden Atiq dhe bartësin e listës për asamble komunale, Skender Sadiku. Mbështetja ime për shqiptarët e veriut asnjëherë nuk ka munguar, e as që do të mungoj edhe në të ardhmen. Duket se kundërkandidatët e mi e kishin pasur për ngut kafen e mëngjesit, e as që kishin pasur interesim të presim për t'u informuar për konkluzionet e KKSB-së, pas së situatës së krijuar në veri për shkak të aksionit të policisë”, ka shkruar ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.