Arbëri

Mesiq: Serbia nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj

Foto: Driton Paçarada / KOHA / 2008
 

Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, ka deklaruar se Serbia vazhdon ta mbajë kokën lartë pavarësisht se ka dështuar me përpjekjet e saj që me luftë të mbajë rajonin nën kontroll. Megjithatë, sipas tij, ky shtet duhet të kuptojë se më “nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, e as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje”.

“Vështirësia e rajonit tonë është se Serbia, si shoqëri, nuk ka pasur sukses në atë që kanë kuptuar gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e kanë kuptuar se kanë ndjekur ide që kanë qenë të paarritshme. Gjermanët kanë ulur kokën. Serbia, për fat të keq, nuk e ka ulur kokën. Ajo e akuzon Millosheviqin, jo sepse ai ka shkuar në luftë, por sepse nuk e ka fituar luftën. Tani, disa nuk mund të pajtohen me faktin se kanë shkuar në rrugë të gabuar dhe se duhet të hapin bashkëpunimin me fqinjët e tyre. Askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është çështje teknike për Serbinë. Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj”, ka thënë Mesiq në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, ku ka thënë se qartazi “dikush s’mund të çlirohet nga synimet për shtet të madh”.