Arbëri

Osmani: Rajoni po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga veprimet e regjimit serb

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vlerëson se integrimi i shpejtë i Kosovës dhe shteteve të rajonit në BE dhe NATO është parakusht për ruajtjen e stabilitetit në rajon.

Osmani thotë se veprimet e regjimit serb gjithnjë e më shumë po kërcënojnë rajonin. Këto i ka thënë Osmani gjatë takimit me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që po mbahet në New York

“Integrimi i shpejtë i Kosovës dhe i vendeve të tjera të rajonit në BE dhe në NATO është parakusht për ruajtjen e stabilitetit në rajon, i cili, fatkeqësisht po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga veprimet e regjimit serb, i cili vazhdon e mentalitetin e viteve ‘90””, ka thënë Osmani.

Osmani ka njoftuar presidentin e Finlandës për dialogun me Serbinë, ku ka thënë se Kosova gjithnjë ka qenë palë konstruktive.

“Presidentja Osmani e njoftoi Presidentin e Finlandës se Kosova gjithnjë ka qenë palë konstruktive në dialog me Serbinë, përkundër faktit që Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera dhe ende mban peng afër 2000 njerëz të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Presidenti i Finlandës, Niinisto, tha se populli finlandez i kupton sfidat nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe ka vlerësim pozitiv për përpjekjet e vendit tonë për të rritur numrin e njohjeve e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare, si dhe për reformat që po ndërmirren për të rritur mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, thuhet nga Presidenca.


Osmani: BE-ja t’i bëjë presion Serbisë që të heqë dorë nga përpjekjet për destabilizim të rajonit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i bëjë presion Serbisë që të heqë dorë nga përpjekjet e saj për destabilizim të rajonit.

Osmani i ka thënë këto gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Irlandës, Simon Coveney. Takimi është mbajtur në New York në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Osmani ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Osmani e ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, gjenden në New York, ku kanë pasur disa takime me presidentë të shteteve të ndryshme.

“Presidentja e njoftoi ministrin Coveney edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo theksoi se Kosova ka qenë vazhdimisht palë konstruktive në këtë proces, madje ka dhënë shumë propozime konstruktive, për çështje të ndryshme. Ajo e ritheksoi kërkesën e institucioneve të Kosovës që dialogu duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ritheksoi thirrjen e saj se BE-ja duhet t’i bëjë presion Serbisë që të heqë dorë nga përpjekjet e saj për destabilizimin e rajonit. Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ndërkaq, foli për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në forume ndërkombëtare dhe shprehu kërkesën e saj për përkrahjen e Irlandës për këtë çështje”, thuhet nga Presidenca.


Osmani i kërkon Guajanës përkrahje për lobim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministrja Gërvalla, në vazhdën e takimeve me liderë botërorë gjatë qëndrimit në Nju Jork takuan edhe presidentin e Guajanës, Mohamed Irfaan Ali.

Osmani i kërkoi Guajanës përkrahje për lobim te shtetet e saj fqinje në Amerikën Qendrore e Jugore për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Sa i përket dialogut me Serbinë, theksoi se dialogu ka kuptim kur në fund të tij do të pasojë njohja e ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe sipas rendit juridik aktual. Ndërsa foli edhe për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Ajo përmendi promovimin e mundësive për investime, shkëmbime tregtare dhe ekonomike.

Kurse presidenti Ali ka thënë se Guajana e ka përkrahur vazhdimisht Kosovën dhe shprehu gatishmërinë për thellim të raporteve mes dy shteteve. Ai theksoi gatishmërinë e institucioneve të Guajanës që t’i intensifikojnë marrëdhëniet me Kosovën dhe e ritheksoi mbështetjen e tij për procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.