Arbëri

Kamberi: Vendimi për targa i drejtë, të kompensohen qytetarët e Luginës

(KosovaPress) - Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i reagojë Serbisë për mosrespektimin e marrëveshjes lidhur me tabelat.

Në situatën e krijuar me reciprocitetin e targave ai deklaron se fajin e mban Serbia. Sjelljet e kësaj të fundit, konsideron se varen nga reagimet e ndërkombëtarëve.

Megjithatë, ai nuk pret destabilizim të gjendjes, por vetëm ashpërsim të retorikës karshi Kosovës. Në anën tjetër, ngrit shqetësimin që ky vendim do të krijojë telashe shtesë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Shaip Kamberi nga Beogradi për KosovaPress thotë se mosrespektimi i marrëveshjes lidhur me tabelat theksohet edhe në Raportin e progresit të BE-së për Serbinë në vitin 2020.

“Ky vendim i fundit duhet parë në kontekst të mos zbatimit të marrëveshjes së tabelave të regjistrimit të marrëveshjes së Brukselit, të cilën Serbia po e injoron në vazhdimësi. Është një çështje e cila përmendet edhe në Raportin e Progresit të Serbisë, të cilën BE e ka publikuar në marsin e këtij viti. Ku i bëhet vërejtje Serbisë që nuk po zbaton këto marrëveshje. Prandaj edhe në këtë kontekst mendoj se është e drejtë masa që Qeveria e Kosovës ka vendosur”, deklaron ai.

Ai konsideron që vendimi i Qeverisë së Kosovës do t’ju krijojë telashe shtesë shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Por, sipas tij duhet t’i bëhet me dije Serbisë që shkelja e marrëveshjes ka një çmim.

“Ajo që për neve është një shqetësim plotësues për banorët e Luginës së Preshevës se besoj që kjo do të ndërlikojë qarkullimin e lirë të njerëzve. Sepse nuk e di sa është e përgatitur ministria kompetente lidhur me procedurat administrative të mos krijimit të tollovive në kufi. Përndryshe unë shpresoj që do të mbahet premtimi publik që do të kompensohen qytetarët e Luginës së Preshevës të gjitha pagesat që bëhen në emër të kësaj mase”, shton Kamberi për KosovaPress.

Më tej, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë beson se ky vendim është dakorduar me miqtë ndërkombëtarë.

“Unë shpresoj që ky vendim së pari është dakorduar me miqtë ndërkombëtarë. Shpresoj që qeveria e di përgjegjësinë që ka marrë, se Serbia mezi po pret të tensionoj situatën për të dëshmuar se Kosova është ajo që po destabilizon raportet mes dy shteteve, por edhe raportet në tërësi në ballkan. Në këtë aspekt, unë besoj dhe shpresoj që qeveria ka pasur një konsultim me faktorët ndërkombëtarë të cilëve u ka bërë me dije me kohë për masat që i ka ndërmarrë”, deklaron ai.