Arbëri

BE-ja bën thirrje për ulje tensioni: Dialogu të jetë platformë për adresim dhe zgjidhje të çështjeve

Descriptive Text

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet, ndërsa ka ftuar ato që ta përdorin dialogun si platformë për të adresuar çështje dhe zgjidhur ato, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe targat.

Qeveria e Kosovës të hënën ka vendosur reciprocitet të targave ndaj Serbisë, ku tash e tutje qytetarët që vijnë nga Serbia për të hyrë në Kosovë duhet të vendosin targa të përkohshme, ngjashëm siç vendosin qytetarët nga Kosova kur hyjnë në Serbi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për KOHËN ka thënë se BE-ja pret që Kosova e Serbia ta promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon, ndërsa ka treguar se po punohet aktivisht në gjitha nivelet për t’iu adresuar kësaj çështje.

Madje ai ka treguar se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka kontaktuar mbrëmë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për këtë çështje.

“Ne kemi thënë se liria e lëvizjes është gurthemel i Bashkimit Evropian. Si e tillë, ne presim që Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon. Ne vazhdojmë të monitorojmë vazhdimisht në terren dhe i bëjmë thirrje dyja palëve të përmbahen, të përmbahen nga veprime e mëtejshme të njëanshme dhe të zvogëlojnë menjëherë tensionet. Jemi duke punuar aktivisht për t’iu adresuar situatës në të gjitha nivelet. Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka kontaktuar si me Vuçiqin ashtu edhe kryeministrin Kurti mbrëmë, dhe përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak është ende në Beograd duke vazhduar punën me të dyja palët. Ne i bëjmë thirrje dyja palëve që të përdorin Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe targat. Ne jemi të gatshëm të presim një takim në Bruksel në çdo kohë”, ka thënë Stano në përgjigje për KOHËN.