5 perditesime
23:46

Bislimi thotë se Asociacioni nuk do të implementohet

Zëvendëkryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do ta implementojë Asociacionin përderisa ai konsiderohet i dëmshëm për institucionet e Kosovës dhe për integritetin territorial të Kosovës.

“Lajçaku ka dy komponente në mandat. Njëra është monitorimi e asistimi i palëve në implementimin e marrëveshjeve paraprake, dhe e dyta është dialogimi për çështjet tjera të mbetura. Çdo marrëveshje që është nënshkruar nga qeveritë e përparme i takon shtyllës së parë të përfshirjes edhe ajo e Asociacionit. Në këtë marrëveshje e kemi Brukselin palë për të folur për implementimin. Serbia nuk është palë. Nuk e kemi implementuar e kemi thënë se nuk e implementojmë. E ka thënë Kushtetutesja që Asociacioni është jokushtetues”, tha Bislimi. “Për sa mendojmë se Asociacioni është i dëmshëm për institucionet e Kosovës dhe integritetin territorial nuk ka logjikë të flasim për zbatimin e tij. I takon shtyllës së parë të angazhimit të Lajçakut, shtylla tjetër ka të bëjë me dialogun me tema të patrajtuara. Nëse shikojmë marrëveshjet deri tash, nuk ka marrëveshje që Serbia e ka zbatuar. Ka zero kredibilitet për të kërkuar nga pala kosovare zbatim të marrëveshjes”.

Bislimi ka thënë se deri më tash në dialog pala kosovare është detyruar vazhdimisht të japë. Si rasti me targat e automjeteve, pastaj me energjinë, telekomin dhe institucionet e drejtësisë.

“Ka qenë pala kosovare që vazhdimisht ka pranuar kompromise, e Serbia duke përdorur taktikën e sallamit, vazhdimisht ka nxjerrë diçka nga pala jonë në dialog”, tha Bislimi.

Ai ka folur edhe për fushatën për çnjohje që mund të nisë Serbia pas përfundimit të moratoriumit të dakorduar me marrëveshjen e Washingtonit.

Bislimi ka thënë se është naive të mendohet se Serbia respekton ndonjë marrëveshje. Dhe se Serbia vazhdimisht ka punuar edhe gjatë kësaj periudhe në drejtimin e çnjohjeve. Sa i përket anëtarësimin në organizata ndërkombëtare nga Kosova, ka thënë se do të përgatiten dhe do të zgjedhin në mënyrë të sofistikuar momentet për të aplikuar për anëtarësim.


Bislimi: Kosova më nuk është objekt në dialog, është palë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i pyetur se nëse mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë gjatë 12 muajve të ardhshme, ka thënë se kjo varet nga kalkulimet e palës serbe.

“Pala serbe ka zero interes për të avancuar në procesin e dialogut. Ka pak përparim në rrugë drejt BE-së dhe ka pak presion nga BE-ja që të jetë konstruktive në dialog. Sidomos në periudhën para zgjedhjeve në Serbi në pranverë të vitit të ardhshëm, Vuçiq nxjerrë para vetes interesa tjera. Ai po përpiqet të destabilizojë rajonin. Gjitha shtetet rreth Serbisë që nuk janë anëtarë të BE-së, shihen si terrene të lira për të ndërhyrë e destabilizuar. Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut. Mendoj se në ndërkohë edhe BE-ja e ka kuptuar interesin strategjik të Serbisë për destabilizim të rajonit dhe për të keqpërdorur në mënyrë flagrante Kishën Ortodokse Serbe. Duhet të kuptojmë se kemi trashëguar proces të dialogut të dizajnuar që të jetë i njëanshëm, ku njëra palë ka bërë kërkesa e tjetra i ka akomoduar. Pala e Kosovës më nuk është objekt i bisedimeve por palë në bisedime. Po ka vështirësi te figurat e caktuara brenda BE-së të akomodohen me situatën e re në dialog”.

 

23:31

Bislimi: Qeveria Hoti nuk e kishte fare prioritet çështjen e të pagjeturve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se për Qeverinë Hoti nuk kishte qenë fare prioritet çështja e të pagjeturve.

Bislimi ka thënë se Qeveria e kaluar kishte nënshkruar një dokument me shtatë fjali në Bruksel me palën serbe, ku thuhej se me çështjen e të pagjuetreve do të merreshin 12 muaj pas marrëveshjes gjithpërfshirëse.

“Kaq e rëndësishme ishte çështja e të pagjeturve për Qeverinë Hoti, sa e kanë zhvendosur në pafundësi”, ka thënë Bislimi në Interaktiv të KTV-së. “Në Qeverinë e kaluar është dakorduar që të diskutohet për elemente të ndryshme që mendohen se mund të jenë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme, e në fund të flitet për njohje e pastaj kur nënshkruhet marrëveshja pas 12 muajve të trajtohet çështja e të pagjeturve. Ne kemi thënë së pari të tregohet për çka është marrëveshja e përgjithshme, njohjen reciproke, anëtarësimin në OKB, çështjen e të pagjeturve, viktimat e dhunës seksuale, dëmet e luftës e çështjet e minoriteteve në dy vende. Pastaj të dakordohemi të hyjmë në detaje të këtyre. Por të pagjeturit e kemi hequr nga pako e të trajtohet me urgjencë kjo çështje. Në këtë kontekst ishte takimi i datës 6-7 shtator ku folëm vetëm për personat e zhdukur me forcë”.

Bislimi ka thënë se në takimin e fundit në Bruksel pos çështjen e të pagjeturve ishte biseduar edhe për elementet e marrëveshjes gjithpërfshirëse. Ai tregon se pala serbe nuk u pajtua me pjesën e dytë, ndërsa donte të fliste për çështjen e energjisë, drejtësisë, vizitat zyrtare e po ashtu të Asocisacionit. Thotë se nuk u pajtua të flitej.

 

23:21

Bislimi: Serbia është palë destruktive, me Qeverinë Kurti nuk po arrin të manipulojë

Besnik Bislimi, zv.kryeministër i Kosovës, ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri të plotë për të qenë konstruktive në dialogun me Serbinë. Ai në një intervistë në Interaktiv, tha se Serbia është pa destruktive, porse prej se dialogu po udhëhiqet nga Qeveria Kurti, më nuk po mund të manipulojë.

“Më herët është thënë se Serbia ka qenë ajo pala konstruktive, se po vjen me propozime, por prej se jemi ne në dialog, ka zero propozime nga Serbia, nuk po arrin të ecë me manipulime, ka ndryshuar plotësisht situata. Pala kosovare ka dal me propozime të qarta”, ka thënë Bislimi.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që për dialogun, të vihen kornizat e marrëveshjeve.

“Kurti ka thënë se për të pasur sukses është e domosdoshme korniza e marrëveshjeve. Presidenti Biden ka thënë se qëllimi i bisedimeve duhet të jetë njohja e ndërsjellë, kjo duhet të dalë edhe nga BE-ja, për të mos lejuar hapësira”, ka thënë Bislimi.

Ai ka mohuar zërat nga opozita se aksioni i sotëm në veri për të mos lejuar veturat me targa të Serbisë ka të bëjë me fushatë zgjedhore.

“Kjo s’ka logjikë, marrëveshjen më 2016 nuk e kemi nënshkruar ne, e as zgjedhjet tash nuk i kemi caktuar ne. Ka rastisur që marrëveshja të skadojë më 15 shtator. Sot është dita e parë e javës dhe kemi vepruar. Të dielën nuk kemi mundur”, ka shtuar ai.

23:10

Bislimi: Vuçiq tha të pavërteta, nuk ka pasur asnjë propozim nga pala serbe

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka gënjyer kur tha se pala serbe kishte bërë një propozim për zgjidhjen e çështjes së targave, porse ishte refuzuar nga pala shqiptare.

Ai ka thënë se Vuçiq e ka konstante të thotë të pavërteta kur flet për Kosovën.

“Ka shpërnda një të pavërtetë menjëherë pas takimit me Lajçakun, kur tha se pala serbe ka bërë një propozim që është refuzuar nga pala kosovare. Nuk kemi marrë asnjë propozim nga pala serbe. Ka shpërnda të pavërtetë edhe për marrëveshjen e deritashme që nuk është më në fuqi. Nuk kemi eksport me Serbinë që të frikësohemi nga ndonjë masë. Është e kundërta, Serbia ka pasur bilanc pozitiv në raporte tregtare me Kosovën”, ka thënë Bislimi.

23:07

Bislimi: Qytetarët e Luginës do të kompensohen për dëmet eventuale nga reciprociteti i targave

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është hipokrizi po të mendohej se masa restriktive të targave do të vlenin vetëm për qytetarët shqiptarë që hyjnë në Serbi e jo për qytetarët që hyjnë nga Serbia për në Kosovë.

Bislimi ka thënë se nga masa e reciprocitetit të targave të automjeteve do të preken edhe qytetarët e Luginës, por se për ta do të dilet së shpejti me një mekanizëm për t’u kompensuar.

“Do të ishte hipokrizi të mendohej se rregulla të tilla vlejnë vetëm për shqiptarët, e rregulla të veçanta ka për qytetarët që vijna nga Serbia. Është masë limituese, nuk është sponsorizuese diçka. Është limitueshme dhe e natyrshme se palët e prekura ndjehen të dëmtuara. Në këtë situatë duhet të vendosësh balancë mes interesave shtetëror dhe bashkëkombasve. Në këtë rrethanë nuk kemi mundur të marrim vendim tjetër. Gjithsesi këtë vendim ju kemi kumtuar qytetarëve të Luginës. Por me rëndësi është se kemi gjetur edhe mekanizmin përmes të cilit do të zhdëmtohen gjithë qytetarët nga Lugina të cilët si pasojë e kësaj mase detyrohen të shpenzojnë. Shuma e caktuar për tabelat me vlefshmëri prej dy muajve është rreth 5 euro”, tha Bislimi në Interaktiv të KTV-së.

 

23:00

Bislimi: Ka tendencë të përshkallëzimi të situatës

Zv.kryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se vendimi i sotëm për masë reciprociteti për targat nuk ka të bëjë asgjë me qytetarët serbë.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së tha se vendimi ka të bëjë vetëm me veturat që hyjnë nga shteti fqinj – Serbia.

Ai tha se situata është stabile, por nuk e di se çfarë mund të ndodh.

“Vendimi s’ka të bëjë kundër serbëve, ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes. Masa nuk i prek qytetarët në Kosovë, ka të bëje me veturat që hyjnë nga vendi fqinj. Se cili është plani i atij që po instumentalizon serbët në Kosovë ne nuk e dimë. Tendencat janë për përshkallëzim të mëtejmë.

Vuçiqi nuk ka asgjë të mirë për rajonin, këtë mendim e ndajnë edhe ndërkombëtarët”, ka thënë Bislimi.

Sot Qeveria e KOsovës vendosi masë reciprociteti, që ka të bëjë me veturat me targa të Serbisë. Tash e tutje atyre duhet t’u vendosen targa të përkohshme kur hyjnë në Kosovë, njësojë siç vepron Serbia me veturat me targa RKS.