Arbëri

Përplasjet Rama-Kurti, kërkohen përpjekje për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve

Descriptive Text

Dhjetëra marrëveshjet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme vazhdojnë të kritikohen për moszbatim në praktikë. Megjithatë, njohës të zhvillimeve politike në dy vendet dhe ekonomistë kërkojnë që zbatimi i tyre të mos ndikohet nga raportet jo të mira ndërmjet liderëve të shteteve dhe përplasjet e fundit rreth nismës rajonale “Open Balkan”.

Në kulmin e përplasjeve dhe mospajtimeve për “Open Balkanin” ndërmjet kryeministrave, Edi Rama e Albin Kurti, është bërë një hap drejt thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka miratuar dy marrëveshje të nënshkruara më herët nga qeveritë për bashkëpunim më të mirë kufitar.

E para ka të bëjë me trafikun lokal të kufirit, kurse e dyta për rikategorizimin e pikës kufitare Krushevë – Shishtavec për të lehtësuar qarkullimin e banorëve të Dragashit dhe Kukësit.

Këtë vendim e ka mirëpritur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Tash e tutje, fëmijët e atyre zonave do të kalojnë shumë lehtësisht kufirin për të shkuar në shkollë vetëm me një ID të lëshuar enkas për kalim lokal kufitar. Kjo marrëveshje do të ndikojë dhe në rritjen dhe lehtësimin e bashkëpunimit shoqëror dhe kulturor ndërmjet shqiptarëve në dy anët e kufirit. Do të promovojmë pa u ndalur bashkëpunimin e mirë ndërshtetëror mes dy qeverive dhe gjithë institucioneve, dhe do të vazhdojmë me marrëveshje të tjera me qëllim të forcimit dhe lehtësimit të bashkëpunimit mes shqiptarëve”, ka thënë ai.

Njohës të zhvillimeve politike në Shqipëri këtë e shohin si tentim të qeverisë shqiptare për përmirësimin e raporteve me Kosovës.

Megjithatë, sipas Ben Andonit, marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve mbesin larg mbetet larg nivelit që duhet të jenë.

“Kjo marrëdhënie unë besoj që mund të qetësohet në ditët në vazhdim por asnjëherë nuk ka për të qenë ashtu siç ka qenë vite më parë ose ndoshta do të duhet vite që kjo marrëdhënie të rregullohet ose të jetë ashtu siç ishte në vitet e para të pavarësimit të Kosovës. Ajo që më bën përshtypje është që egoja politike e Z. Rama dhe e Z. Kurti më shumë mendon për personalitetet e tyre sesa për këtë marrëdhënie”, ka deklaruar Andoni.

Zbatimi i marrëveshjeve bilaterale Kosovë – Shqipëri, sipas Andonit, nuk duhet të ndikohet nga marrëdhëniet jo të mira politike ndërmjet liderëve.

Dy shtetet vazhdojnë të kritikohen për moszbatim të marrëveshjeve, sidomos atyre ekonomike, të cilat synojnë eliminimin e pengesave tregtare.

“Ju mbetet dy qeverive të cilat janë deklaruar se janë për integrime mes dy kufijve, që të punojnë shumë që këto marrëveshje të cilat janë nënshkruar teknikisht të zbatohen. Është fjala për ngecjet në nivelin teknik, jo në nivelin politik por për këtë natyrisht duhet të ekzistojë vullneti politik që t'i shtyjë burokratët që këto marrëveshje sa më shpejtë t'i sjellin në praktikë”, ka thënë Sejdi Rexhepi, ligjërues i ekonomisë.

Deri më tani, Prishtina dhe Tirana kanë nënshkruar mbi 70 marrëveshje. Dy qeveritë kanë mbajtur gjashtë mbledhje të përbashkëta që nga viti 2014, kur ishte mbajtur takimi i parë.

Mbledhja e radhës është paralajmëruar të mbahet gjatë këtij viti.