Arbëri

Hoti: Dilemat për ndërtimin e rrjetit të gazit janë dëm për Kosovën

Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka deklaruar se është dëm hapja e dilemave se a duhet ndërtuar rrjeti që i mundëson Kosovës qasje në gaz, çështje kjo e përfolur javëve të fundit. Ai ka shkruar në Facebook se gjatë Qeverisë Mustafa, 2014-2017, ishin plotësuar kushtet që Kosova të bëhet pjesë e MCC-së, dhe ka vite që janë bërë studime të nevojshme nga MCC-ja.

“Gjatë kohës sa kam qenë kryeministër, kemi finalizuar listën e projekteve për tu përfshirë në financimin nga MCC, e cila është bazuar në studimet e parafizibilitetit. Në këtë listë ka qenë i përfshirë edhe rrjeti për qasje në gaz në Maqedoninë e Veriut. As në Qeverinë Mustafa dhe as në Qeverinë time nuk kemi pasur asnjëherë dilema për bashkëpunimin me SHBA”, ka shkruar ai.

Hoti thekson se këto dilema s’duhet të hapen, pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka njoftuar Kongresin për ndarjen e 200 milionë dollarëve për projektet e MCC-së në Kosovë.

“Në vend që të shkohet përpara me projektin e gazit, hapet debati për rikostruim të TC Kosova A që është kancer ambientialist. Projekti i gazit ka dimension ekonomik dhe gjeopolitik. Duket se asnjëri nga këto dimensione nuk po kuptohen sa duhet apo po neglizhohen nga qeveria aktuale.”

Për këtë çështje është deklaruar ditë më parë edhe e para e shtetit. Vjosa Osmani ka theksuar për DW se ekspertët dhe ministritë përkatëse janë duke bërë diskutime me shtetin amerikan, në mënyrë që kjo gjë që sqarohet. Sipas saj, nuk ka refuzim të Qeverisë së Kosovës, por vetëm sqarime të duhura.

“Nuk pretendoj të jem eksperte e çështjeve të energjisë, prandaj po e pres vlerësimin nga ana e ministrive përkatëse rreth çështjeve të tjera të implementimit, sepse nganjëherë nuk mjafton vetëm vendimi politik, duhet patjetër ta dimë edhe se si implementohet ai vendim dhe të kërkojmë përkrahje edhe më të lartë, dhe financiare nga ana e partnerëve tanë, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë që implementime të tilla të jenë të suksesshme. Por, nga aspekti gjeostrategjik, Kosova s’ka pse të shikoj tjetërkund. Shikimin duhet ta mbaj nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Osmani.

Projekti i ndërtimit të Gazsjellësit Ballkanik është proces i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa nga Qeveria e Kosovës ende s'ka qëndrim të qartë, pasi sipas saj, emde s'dihet kostoja reale e projektit.