Arbëri

Qehaja: Më mirë të hiqej tarifa për parashkollorët se për studentët

Rinor Qehaja, nga Instituti “EdGuard”, ka thënë se ndonëse heqja e tarifës për arsimin e lartë publik është një lajm i mirë për studentët, më në favor do të ishte heqja e saj për parashkollorët.

Qehaja ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, se pjesëmarrja e parashkollorëve në institucionet përkatëse është e vogël edhe për shkak të pagesës.

“Më në favor do të ishte heqja e tarifës për parashkollorët, sepse pjesëmarrja është subjekt në veçanti i pagesës. Parashkollorët mungojnë në masë të madhe në sistemin parashkollor për shkak të pagesës. Do të kishte një impakti më të madh socio-ekonomik nëse do të ofrohej për parashkollorët”, ka thënë Qehaja.

Sipas tij, ky vendim ndonëse vjen në kohë fushate dhe mund të bëhet për përfitime elektorale, është e rëndësishme të gjykohet si përfitim për studentët dhe të analizohet impakti i tij në studime.


Qehaja: Qeveria të mos i anashkalojë studentët e kolegjeve private

Rinor Qehaja nga instituti “EdGuard” ka thënë se Qeveria e Kosovës me vendimin e fundit që të bëjë arsimin e lartë falas në nivelin publik, ka anashkaluar studentët e kolegjeve private në vend.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se kjo është kategori e ndjeshme dhe ka nevojë për përkrahje institucionale.

“Nga observimi jonë është dëshmuar që një numër i madh i studentëve të privatit janë ata që padrejtësisht për shkak të mundësive jo të mira kanë munguar në përgatitjet për pranim në universitete publike dhe si rezultat i konkurrencës jo të mirë, përkundër që kanë kushte jo të mira ekonomike, janë detyruar të vazhdojnë shkollimin universitar te privatët. Është kategori goxha e ndjeshme ndaj së cilës nevojitet edhe përkrahje institucionale si kjo e vendimit të fundit. Nevojitet përkrahje institucionale e të mos anashkalohen vetëm pse janë privatë, por të përkrahen sepse janë studentë që kanë nevojë. Heqja e tarifës do të ishte më e barabartë e më e drejtë po të përfshiheshin të gjithë studentët në nivelin universitar, pa përjashtuar publikun apo privatin”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Qehaja tutje ka thënë se me financimin e universiteteve publike “ka frikë se është nxitur komoditet i jashtëzakonshëm i të gjithëve”. Sipas tij, duhet të ketë matje më të madhe të performancës e duke e shtuar edhe konkurrencën me institucionet private të arsimit të lartë.