Arbëri

Dialogu Kosovë-Serbi: Të pagjeturit, çështje urgjente për SHBA-në

Zëvendësndihmës Sekretari për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, ka thënë se çështja e personave të pagjetur është më urgjentja në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ai ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë besim që i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, do të arrijë synimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që, sipas tij, është “arritja e një zgjidhjeje” ndërmjet dy shteteve.

“Tema më urgjente (që do të lëvizte gjërat përpara në dialog) është çështja e personave të pagjetur. Kjo është një temë humanitare që nuk duhet të bllokohet për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Ka familje që po presin me vite për të kuptuar se çka ka ndodhur me më të dashurit të tyre. Unë thjesht nuk e kuptoj pse për këtë çështje nuk mund të ketë kompromis”, ka theksuar Escobar, që është edhe i dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

Ai ka thënë po ashtu se ka edhe një sërë çështjesh për të cilat kanë punuar dhe që nuk kanë “asnjë ndikim në statusin”, siç janë “lidhjet ekonomike që tashmë ekzistojnë, revitalizimi i tyre në mënyrë që jenë funksionale”.

“Shembull, është çështja e targave të veturave. Është edhe çështja për energjinë në veri të Kosovës. Pra, ka një sërë çështjesh të vogla, që mund të zgjidhen menjëherë”, ka deklaruar ai.

Gabriel Escobar ka marrë postin e Zëvendësndihmës Sekretarit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në fillim të shtatorit. Ai në këtë post e pason Matthew Palmerin.