Arbëri

“Deputeti s’ka kompetencë punësimin”, rrethana që e shpëtoi Grabovcin

Fakti që kompetencë e deputetëve nuk është emërimi dhe rekrutimi i punëtorëve në shërbim civil ka bërë që Gjykata e Apelit ta lirojë nga akuzat ish-deputetin e PDK-së, Adem Grabovci. Grabovci, së bashku me ish-këshilltarin politik të ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Sadat Gashi, janë liruar nga akuzat me arsyetimin se nuk mund të dënohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për punësim të personave pasi nuk kanë kompetenca për punësime. Sekretari i atëhershëm i MPB-së, Ilhami Gashi, është dënuar ndërkaq me kusht. Në rastin e Gashit, gjykata ka thënë që kompetencë e tij zyrtare është edhe çështja e punësimit, andaj ai e ka keqpërdorur detyrën

Kryeprotagonisti i aferës “Pronto”, Adem Grabovci, me vendim përfundimtar është shpallur i pafajshëm për akuzat që e ngarkonin për punësime të jashtëligjshme.

Arsyetimi i Gjykatës së Apelit i shkruar në 24 faqe, topin e hedh te Prokuroria e Shtetit për hartimin e aktakuzës, duke aluduar se Grabovci në cilësinë e deputetit nuk e kishte kompetencë rekrutimin e punonjësve, e rrjedhimisht nuk mund ta keqpërdorte pozitën.

“Nga pozita e deputetit dhe shefit të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, qartazi rezulton se i akuzuari nuk kishte kompetencë për çështjen e rekrutimit të punonjësve në shërbimin civil, rrjedhimisht as nuk mund të kishte keqpërdorim të autorizimeve në këtë aspekt, pasi që këto autorizime nuk ekzistonin në pozitën që mbante i akuzuari”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

I akuzuar në këtë aferë ishte edhe Sadat Gashi, këshilltar i ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Edhe Gashi është liruar për të njëjtat arsye sikur Grabovci.

“Këshilltari politik nuk hyn në domenin e fushës së rregullimit ligjor të shërbyesve civilë, rrjedhimisht nuk kishte ndonjë kompetencë dhe autorizime për rekrutimin e zyrtarëve të shërbimit civil pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, andaj i akuzuari duke mos pasur autorizime të tilla në kuadër të pozitës të cilën e mbante, nuk rezulton as tejkalimi i kompetencave, objektivisht edhe nuk mund ta kryente veprën penale sipas kualifikimit juridik për të cilën akuzohet”, thuhet në këtë aktgjykim.

Në krejt këtë aferë, që në publik është një nga skandalet më të njohura, kur flitet se si bëhen punësimet, është dënuar me kusht vetëm Ilhami Gashi, sekretar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kur dyshohet që ishin bërë dy punësime.

E gjykata këtë dënim e ka arsyetuar me faktin që Gashi ka pasur kompetencë ligjore që të merret më punësime, andaj edhe privilegjet që është vërtetuar që janë dhënë në dy raste punësimesh hyjnë në kuadër të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe tejkalimit të jashtëligjshëm të kompetencave të sekretarit. Ai është dënuar për veprën penale shkelje e statusit të barabartë.

“Duke qenë se i akuzuari I.G. nga pozita e tillë zyrtare kishte autorizimet për të përcaktuar komisionet dhe për të marrë pjese në vlerësimin e kandidatëve, kjo gjykatë e gjen si të justifikueshme dhe të domosdoshme që të akuzuarit t’i shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike apo shërbimin publik, pasi që rezulton i provuar fakti se i akuzuari kishte keqpërdorur autorizimet e tij në cilësinë e zyrtarit që ishte.”

Aktakuza “Pronto” është ngritur në vitin 2018, pas publikimit të përgjimeve që tregonin ndikimin e njerëzve të PDK-së për të vendosur njerëz të tyre në pozita kyç. Edhe pse një pjesë e punësimeve dhe emërimeve ishin për pozita që do të duhej të votoheshin në Qeveri e të nënshkruheshin nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, ai nuk u intervistua asnjëherë në asnjë cilësi nga Prokuroria.