Arbëri

Bakteriologia kosovare në Zvicër: Vaksina, rrugëdalja e vetme nga COVID-19

Fatime Imeri-Berisha, bakteriologia kosovare e cila jeton dhe vepron në Cyrih të Zvicrës, ka deklaruar se vaksina aktualisht është mjeti më efikas në luftën kundër COVID-19.

Sipas saj, vaksinimi është e vetmja rrugëdalje për të dalë nga situata me këtë pandemi.

Në një paraqitje direkte në “60 Minuta” të KTV-së, ajo ka thënë se vaksina ka qenë përherë një çështje që ka shkaktuar polarizim të shoqërisë.

“Vaksina është një temë shumë emocionale e cila shkakton polarizim të shoqërisë. Në kuptimin e ngushtë vaksina nuk është ndonjë ilaç por një produkt medicinal e cila në bashkëpunim me sistemin tonë imunitar shkakton imunizim. Vaksina tani për tani është mjeti më efikas në luftën kundër COVID-19, dhe mendoj se do të jetë rrugëdalja e vetme për të dalë nga kjo situatë”, është shprehur Imeri-Berisha.

Ajo ka bërë të ditur se në Zvicër gjendja me koronavirus aktualisht është stabilizuar, duke rënë numri i të hospitalizuarve dhe po ashtu numri i rasteve pozitive.

Sipas saj, mosha mesatare e të vdekurve në Zvicër si pasojë e COVID-19 është mbi 70 vjeç, ndërkohë që ka shtuar se varianti Delta po dominon atje me 98% të rasteve ditore pozitive.