Arbëri

DnV: Zgjedhjet lokale duhet të mbahen, duke respektuar masat dhe protokollet në fuqi

Rrjeti i organizatave joqeveritare në Kosovë, Demokracia në Veprim, ka bërë thirrje që të mbahen zgjedhjet lokale, duke respektuar masat anti-COVID dhe protokollet në fuqi.

Reagimi i DnV-së vjen pas rekomandimit të IKSHPK-së për shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të situatës me pandeminë COVID-19..

“Zgjedhjet e rregullta lokale janë shpallur nga presidentja Vjosa Osmani, për datën 17 tetor të këtij viti, duke u bërë kështu procesi i tretë zgjedhor që Kosova organizon në periudhën e pandemisë COVID-19. Për sot është paralajmëruar mbajtja e një takimi konsultativ mes subjekteve politike dhe Presidentes Osmani, për të diskutuar rekomandimin e IKSHPK-së, i cili kërkon shtyrjen e procesit zgjedhor. Ndonëse situata aktuale është e përkeqësuar, Demokracia në Veprim konsideron se zgjedhjet lokale të 17 tetorit duhet të mbahen brenda afateve të përcaktuara, por në respektim dhe përputhje me masat në fuqi për parandalimin e shpërndarjes së virusit dhe protokolleve tjera në fuqi. Organizimi i këtyre zgjedhjeve do t’u mundësojë qytetarëve ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në institucionet e nivelit lokal, që përbën një prej parimeve bazë të funksionimit demokratik të një shteti. Duke qenë se këto zgjedhje janë të rregullta në kuptimin periodik, mbajtja e këtyre zgjedhjeve është e një rëndësie të veçantë edhe sa i përket mandatit katër-vjeçar që u është dhënë institucioneve të nivelit lokal, mandat ky i cili sipas legjislacionit në fuqi mbaron në fund të muajit tetor. Çështja e mandatit të institucioneve të nivelit ngërthen në vete edhe aspektin e legjitimitetit të tyre, që do të cenohej në rast të shtyrjes së zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e DnV-së.

Demokracia në Veprim kërkoi që institucionet relevante, por edhe vet subjektet politike, të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për organizimin e një procesi zgjedhor të sigurt shëndetësor. Mes tjerash kjo, sipas tyre, nënkupton respektimin e masave për numrin e lejuar të qytetarëve në tubime, respektimin e masave si maska dhe distanca, si dhe masave tjera specifike që ndërlidhen drejtpërdrejt me procesin zgjedhor.