“Drogat që përdoren më së shumti janë kanabisi ose marihuana dhe më pas vjen kokaina. Kokaina në vitet e fundit po na shqetëson shumë, sepse është me të madhe duke u përdorur”, ka thënë Safet Blaka, drejtues i Qendrës për këshillim dhe trajtim të varësisë “Labyrinth”
Prishtinë, 8 shtator - Dy persona të moshave 21 dhe 22 vjeçe, shtetas të Shqipërisë, janë arrestuar së fundmi pasi në veturën e tyre u gjetën rreth 9 kg kokainë.
Ata janë arrestuar në pikën kufitare të Vërmicës.
E nga janari e deri në muajin gusht të këtij viti, Policia ka arritur të arrestojë 540 persona, që kanë të bëjnë me narkotikë, e janë konfiskuar 403 kilogramë kokainë, mbi 260 kg marihuanë e gati 2 kilogramë heroinë.
“Gjatë periudhës 1 janar - 31 gusht 2021 janë iniciuar 512 raste me narkotikë, në këto raste janë të përfshirë 662 të dyshuar, prej tyre 540 janë arrestuar. Në këto raste janë konfiskuar: 403 kg e 636 gr kokainë, 266 kg e 553 gr marihuanë, 1 kg e 854 gr heroinë dhe lloje të tjera të narkotikëve” thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Qasja e lehtë te drogat dhe kureshtja vlerësohen faktorët kryesorë që edhe në Kosovë është rritur numri i personave që konsumojnë substanca narkotike.
Sipas drejtuesit të qendrës për këshillim dhe trajtim të varësisë, ”Labyrinth”, Safet Blaka, derisa në Kosovë tashmë ka filluar të rritet numri i përdoruesve të kokainës, institucionet nuk janë duke punuar në parandalimin e tyre.
“Droga që përdorin më së shumti janë kanabisi ose marihuana dhe më pas vjen kokaina. Kokaina në vitet e fundit po na shqetëson shumë, sepse është me të madhe duke u përdorur”, ka thënë ai.
Përveç qendrave për këshillim e trajtim të varësisë, që gjenden në disa qytete të Kosovës, personat e varur nga substancat narkotike mund të trajtohen edhe në Klinikën e Psikiatrisë.
Sipas drejtorit të kësaj klinike, Shaban Mercinaj, kohët e fundit ka rritje të moshave të reja që po kërkojnë trajtim, e që përveç përdorimit të substancave narkotike, ato po manifestohen edhe me çrregullime të tjera psikiatrike.
“Nga viti 2004, kemi një repart të veçantë që ofron trajtim, trajtim detoksikues dhe nga viti 2012, kemi trajtimin mbajtës me metadon. Trajtimi bëhet bazuar në vullnetin e këtyre personave për ta braktisur substancën”, është shprehur ai, duke treguar se në Klinikën që ai drejton, janë shtuar edhe rastet që vuajnë nga depresioni.
E afër kësaj klinike gjendet edhe Instituti i Psikiatrisë Forenzike, i cili trajton pacientë që kanë kryer vepra penale, e që sillen me urdhër të gjykatave.
Në mesin e tyre janë edhe personat që përdorin substanca narkotike, e që si pasojë e përdorimit të tyre kanë kryer edhe vepra të tjera penale, si dhunim, vrasje apo edhe lëndime.
Shpend Haxhibeqiri, ushtrues detyre i drejtorit të këtij Instituti, thotë se kërkesat për të trajtuar personat që përdorin substanca narkotike janë të mëdha.
“Kërkesat për trajtimin e personave që përdorin substanca janë shumë të madha, qoftë prej prokurorisë, gjykatave e familjarëve. Ne kemi krijuar një listë të pritjes, në bazë të rëndesës edhe të veprës penale”, ka thënë ai.
Shtatë persona, të cilët janë edhe abuzues të substancave narkotike e kryes të veprave të ndryshme penale, aktualisht po trajtohen në këtë institut.