Arbëri

Sveçla: Nuk aplikojmë këtë vit për anëtarësim në Interpol

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bën të ditur se Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në Interpol gjatë këtij viti. Ai thotë se janë duke bërë të gjitha përgatitjet që vitin e ardhshëm Kosova të bëhet anëtare e Interpolit.

“Unë, qysh më herët, kam marrë vendim që në sesionin e këtij viti ne nuk do të aplikojmë për anëtarësim në INTERPOL, duke parë mungesën e përgatitjeve serioze nga institucionet e Kosovës. Tashmë kemi krijuar grupin punues, i cili do të përgatisë të gjithë dokumentacionin, por edhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që anëtarësimi i Kosovës në vitin e ardhshëm të jetë i sigurt. Do të fillojmë me përgatitjen e strategjisë për lobim, do të kontaktojmë së pari me aleatët tanë, ku nuk do të bisedojmë për votën e tyre, por për mbështetjen e tyre në këtë proces. Normalisht, pastaj do të kalojmë shtet për shtet së bashku me MPJ-në, që dobitë që jo vetëm Kosova, por edhe rajoni dhe gjithë bota demokratike do të ketë prej anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”, tha Sveçla për KosovaPress.

Ai e vlerëson të qetë situatën e sigurisë në vend, pa incidente serioze në veri. Ndërsa paralajmëron se do të jenë edhe më të përpiktë në zbatimin e masave anti-COVID, përderisa thotë se këto të fundit po respektohen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Rritja e numrit të vrasjeve në Kosovë, veçmas ndaj grave, sipas tij, hynë në kuadër të situatës së rënduar, të pavolitshme, ku një numër i madh i shtetasve të Kosovës kanë qasje apo edhe bartin armë të paligjshme në duart e tyre, që siç thotë ai, duhet që sa më parë të ndërpritet.

“Policia e Kosovës është në vazhdimësi e angazhuar që të parandalojë çfarëdo lloj dhune. Prioritet për ne është dhuna në familje dhe për këtë ka procedura të veçanta, si të raportimit po ashtu edhe të ndërmarrjes së hapave të nevojshëm për sa i takon vrasjeve në përgjithësi. Tashmë kemi edhe iniciativat e para për të ndryshuar ligjin për armët dhe për të ndryshuar po ashtu edhe kodin penal me të cilin masat ndëshkimore ndaj atyre të cilët mbajnë armë pa leje të jenë më të larta dhe të mos përfundojnë vetëm në dënime mandatore, por sikurse të gjitha shtetet në Evropë dhe të gjitha shtetet në rajon, ato masa të jenë më të ashpra në mënyrë që të dekurajojmë mbajtjen e armës nga qytetarët e Republikës të Kosovës”, thotë ai.

Ai tregon për KosovaPress se deri ku kanë shkuar hetimet për rastin e vrasjes së dyfishtë në Pejë, e që tronditi opinionin në vend. Të mërkurën në Pejë u vranë kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj, dhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Deçanit, Bashkim Kadrijaj. Ndërsa është arrestuar vëllai i Ademajt, i cili u plagos në këtë ngjarje.

“Policia e Kosovës, që në momentin e parë është mobilizuar në maksimum të zbulojë rrethanat e kësaj ngjarje tragjike. Tashmë kemi informacione të bazuara mbi atë se çfarë ka ndodhur në këtë rast. Është çështje e hetimeve që në plotni të zbulohen të gjitha rrethanat dhe pastaj të veprohet bazuar në këto të gjetura. Edhe kjo vrasje hynë në kuadër të situatës së rënduar, të pavolitshme, ku një numër i madh i shtetasve të Kosovës kanë qasje apo edhe bartin armë të paligjshme në duart e tyre dhe kjo duhet të ndërpritet”, thotë ministri./KSP