Arbëri

Peci: Osmani s’ka marrë vendim t’i shtyjë zgjedhjet, eksponentë politikë po shpërndajnë propagandë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar që presidentja Vjosa Osmani nuk ka marrë vendim t’i shtyjë zgjedhjet dhe se në takim i ka ftuar liderët politikë për ta diskutuar gjendjen me pandeminë, dhe ndikimin e saj në procesin zgjedhor të 17 tetorit.

Peci ka shkruar në Facebook se eksponentë të politikës po shpërndajnë propagandë online, “për të dëshmuar besnikërinë ndaj politikës IsaMustafiane”.

“Kur eksponente të politikës (e ati i tyre ideologjik) na flasin për ndikim ndaj institucioneve të pavarura, mendojnë që kemi harruar se si ata nuk bëzanë kur Thaçi shtyu zgjedhjet në Podujevë një ditë para se të mbaheshin, pa pyetur e konsultuar asnjë parti politike, pa pyetur për Kushtetutë e ligj, pa pyetur për demokracinë. Këta eksponentë oportunistë heshtnin, se s’donin të prisheshin me shefat e tyre. Se janë vec piuna të atit të tyre ideologjik, I.Mustafës, e dëshmuan edhe sot”, ka shkruar Peci.

Ministri i Bujqësisë u ka bërë thirrje qytetarëve t’ua “mbyllin derën propagandave të tilla”, që sipas tij, udhëhiqet nga urrejtja e verbuar.

“Ju e njihni gjithsecilin, sepse e kemi sprovuar veten. E dini kush njëmend punon për demokraci. I keni parë këta abuzues pushteti se si shkelën çdo normë etike e ligjore përgjatë dy dekadave”, thuhet tutje.

Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe zyrtarë të partive politike opozitare kanë deklaruar se janë kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.