Arbëri

VV-ja i kërkon KQZ-së të dërgojë në prokurori të gjeturat e auditorit

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, në mbledhjen e sotme kanë ngritur çështjen e auditimit të brendshëm në këtë institucion, duke thënë se kishte shkelje të shumta dhe vjedhje.

Ata kërkuan të dinë se pse ende nuk janë dërguar ato shkelje në prokurori, derisa kanë paralajmëruar se ato shkelje do t’i dërgojnë vetë.

Këtë çështje e ka ngritur më mbledhjen e sotme, Alim Rama nga VV-ja.

Pas kësaj kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se derisa nuk e kanë procesverbalin e Komitetit të Auditimit nuk mund të veprojnë apo t’i dërgojnë ato në prokurori. Sipas tij, duhet të respektohet procedura dhe pa i parë të gjeturat nuk mund të japin vlerësim.

Anëtari tjetër i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka thënë se të gjeturat e auditimit të brendshëm kanë konstatuar shkelje të shumta e madje edhe vjedhje dhe se do t’i dërgojë në prokurori nëse këtë nuk e bënë kryesuesi i KQZ-së.

Ndërkohë, Burim Ahmetaj, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, tha se tashmë mbi 70 për qind e stafit të angazhuar për zgjedhjet lokale të 17 tetorit është imunizuar me dozën e parë, ndërsa me dozën e dytë 36 për qind. \ksp