Arbëri

Shqipja e të huajve

Descriptive Text

Në mesin e studiuesve e studentëve ndërkombëtarë të kulturës shqiptare në Seminarin e sivjetmë ishin edhe arbëreshët Tinna Zaccato dhe Martin Di Maggio. “Ma për ty, gluha shiptare e gluha arbëreshe, janë një gluhë, a janë dy gluha?” – e pyet Di Maggio Zaccaton. “No”, ia kthen ajo italisht. “Jo!?” - ia shpreh habinë ai. “Për mua, Janë dy gjuha differenti. E di pse, pse për mua livello sociolinguistico, la base asht arbërishti....”

Studiues e studentë nga shtete të ndryshme po diskutojnë shqip aspekte specifike të kulturës shqiptare në sallat e Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Shqip zhvillohet diskutimi shkencor për shqiptarët. Shqipen standarde e kanë mësuar gjatë studimeve themelore në shtete të ndryshme, por gjatë kurseve të avancuara të edicionit të 39-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, veshi të rrokë edhe forma dialektore e krahinore të shqipes.

Thyerja e paragjykimeve

Angela Popovska është rritur në Maqedoninë multietnike të Veriut, por nuk i kishte rastisur të shoqërohej me shqiptarët e atyshëm, popull shtet-formues i ish-Republikës Jugosllave. Vetëm pasi nisi studimin e Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes, shqipja do të kthehej në objekt mësimi e studimi. Tani e flet goxha rrjedhshëm.

“Faktikisht, atje (në Bullgari,v.j.) e kisha kontaktin e parë me shqipen, sepse unë e kam dëgjuar, e kam parë mënyrën në të cilën duket në formën e shkruar, por nuk kam folur me shqiptarët, nuk kisha aspak kontakt me të”, thekson Popovska nga Shkupi në njërën prej sallave të Fakultetit Filozofik të UP-së, ku po mbahen kurset e ndara në tri nivele. “Dhe ndoshta kisha paragjykime gjithashtu”.

Ngjashëm si ajo, edhe Vladimir Georgiev studio shqipen në universitetin e kryeqytetit bullgar. Disa herë ka vizituar Shkupin, Tiranën, Prishtinën e Shkodrën për nevoja studimore. Thotë se është mahnitur me bukuritë e trojeve shqiptare. Ai nuk kishte ndonjë arsye specifike për ta mësuar shqipen.

“Më parë kisha qenë në Shkup, kam dëgjuar muzikë shqiptare, dhe më ka pëlqyer kjo gjuhë”, thotë Georgiev, duke shtuar se nuk kishte besuar se do të mund ta mësonte shqipen. Por tani e flet rrjedhshëm shqipen.

Gjatë diskutimit, spikat përshtatja e formave dialektore të shqipes. Thotë se varësisht se ku ndodhet, përshtat edhe shqipen e tij, për të cilën mendon se është shumë e pasur.

“Më pëlqen shumë pasuria fonetike, infinitivi dhe trajtat e gegënishtes”, thekson Georgiev. “Dhe momentalisht jemi këtu në Kosovë, atëherë për këtë arsye jom tu e fol ma shumë gegënisht”.

Historia e kryengjarjes

Miqtë nga Universiteti i Sofjes janë vetëm dy prej dhjetëra studentëve e studiuesve, që për dy javë ishin pjesë e kurseve, të ndara në tri nivele, të edicionit të sivjetmë të Seminarit.

Drejtuesit e tij e konsiderojnë njërin prej forumeve më të rëndësishme, që organizohet çdo vit për të diskutuar dhe promovuar aspekte të veçanta që e karakterizojnë gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Duke ndërmendur sfidat jo të pakta të shqipes, veçmas problemet në leksik e drejtshkrim, organizatorët e Seminarit të sivjetmë kanë synuar që, nëpërmjet sesioneve shkencore, referimeve, tryezave e diskutimeve, të shkoqisin edhe tema të tjera, si lajmet e rrejshme dhe infodeminë.

Seminari është themeluar në vitin 1974 në kuadër të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, me qëllim që hulumtuesit shkencorë të merreshin me probleme të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë në përgjithësi.

Njohja nëpërmjet shqipes

Ligjëruesja Elsa Skënderi-Rakipllari nga Universiteti i Tiranës, gjatë dy javëve të kursit të avancuar ka diskutuar me pjesëmarrësit për sfera të ndryshme të lidhura me shqiptarët. Një pjesë e kursantëve të saj janë edhe studiues të fushave të ndryshme të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

“Sigurisht se edhe kjo i ka sfidat e veta dhe në vijimësi kërkohen tema që janë edhe interesante me qëllim që të mos përfundosh duke i përsëritur ato që ata i dinë”, thekson Skënderi-Rakipllari pas mësimit të së mërkurës. “Dhe duke pasur parasysh se për një periudhë dyjavore, nuk është fort e lehtë”.

Popovska thotë se mësimi i shqipes ia ka lehtësuar komunikimin e pastajmë me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. E pranon se i kishte paragjykuar shqiptarët, porse mësimi i shqipes i ka ndihmuar për t’i tejkaluar ato.

“Kur filluam ta mësonim dhe kur e kisha kontaktin me këtë gjuhë, u dashurova me të dhe me kulturën e shqiptarëve, dhe tani e shikoj situatën ndryshe, dhe u jam shumë mirënjohëse profesorëve që arritëm të ma ndryshonin pikëpamjen”, thekson Popovska.

Ajo thotë se popujt e Ballkanit, përgjithësisht, më shumë i njohin kulturat perëndimore, sesa të njërit-tjetrit.

“Mbrapsht”, fjala më e vështirë e shqipes

Me nxënës me prejardhje shqiptare ka përditë punë si mësimdhënës Historie dhe Matematike, Jakob Lidauer nga Austria. Profesori i shkencave ekzakte, pjesë e seminarit të shqipes u bë me mbështetjen e historianit të njohur austriak, Oliver Sschmit.

“Unë erdha këtu për herë të parë në vitin 2018, dhe e nisa mësimin e shqipes si hobi, por po vazhdon edhe më gjatë, megjithëse mua nuk do t’më duhet për arsye profesionale, por e di se do të më duhet për shkak të nxënësve me prejardhje shqiptare”, thekson mjekroshi Lidauer. “Dhe, në njëfarë forme mund të themi se diaspora shqiptare është goxha e fortë në Vjenë, por edhe do të jetë e dobishme”, thekson ai në gjuhën angleze.

Por, cila ishte fjala më e vështirë e shqipes për austriakun Lidauer?

“Nuk e di, mendja më shkon te fjala ‘mbrapsht’”, thotë me qeshje Lidauer, duke qeshur, dhe përsërit “mbrapsht”.

Ligjëruesja Adelajda Baftiu nga UP-ja thotë se numri i madh i bashkëtingëlloreve ia vështirëson shqiptimin austriakut.

Specifikat fonetike të shqipes

Në fakt, profesoreshat thonë se është goxha sfiduese që përnjëherë t’ua mësosh studentëve e studiuesve të kombësive të ndryshme për shkak të veçantive të gjuhëve të tyre të prejardhjes në raport me njëra-tjetrën dhe me shqipen.

“Vështirësitë më të mëdha vijnë kur studentët vijnë prej sistemeve gramatikore të ndryshme prej të shqipes, si për shembull, hungarishtja ose turqishtja”, thekson Baftiu. “Këta mund të kenë për shembull disa vështirësi për mësimin e shqipes, por jo edhe të tjerët”.

Por, kur vjen puna te trajtimi i temave të kulturës shqiptare, në ligjërata përfshihen edhe rekomandimet e kërkesat e studiuesve dhe studentëve. Kjo bëhet me qëllim të shkëmbimit të ideve dhe ruajtjes së vëmendjes.

“Kemi bërë edhe redaktime për shembull”, thekson Skënderi-Rakipllari.

E vlerësuar njëzëri si ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme e albanologjisë në vend dhe botë, ishte paraparë të mbahej në tetor të vitit të kaluar, por qe anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Studiuesi bullgar ngulmon që të përçojë mesazhin e tij për qytetarët e pavaksinuar të Kosovës. “Vaksinohuni”, porosit Georgiev, duke folur për vaksinimin si mjetin më të fortë aktualisht në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

Pavarësisht frikës nga infektimi pas shpërthimit të rasteve me variantin Delta në Kosovë, kursantët dhe ligjëruesit morën pjesë sivjet.

“Shkipja” e arbërishtja, “dy gluha të ndryshme”

Dy studiuesit arbëreshë, Tinna Zaccato dhe Martin Di Maggio, e nisin improvizueshëm një bisedë arbërisht, por që pastaj merr karakter serioz për temat e kulturës shqiptare.

“Tinna, a të pëlken Prishtina?” – e pyet Di Maggio Zaccaton.

“Më pëlken shumë Prishtina”, ia kthen ajo në oborrin e Fakultetin Filozofik të UP-së.

Bisedën e vazhdojnë me përzierje të fjalëve të arbërishtes dhe italishtes. “Kitane here që vatëm te katedralja për meshën, ish shumë e bukur, por që ish në gluhën shkipe”, thotë Di Maggio.

Di Maggio, lindur e rritur në Londër, por me prejardhje siciliane, ka kanalin e tij në YouTube ku bën përkthimin dhe shpjegimin e arbërishtes, dhe sfidat me të cilat përballen arbëreshët e Italisë gjatë përzierjes së shprehjeve të gjuhës së tyre amtare me italishten.

“Ma për ty, gluha shiptare e gluha arbëreshe, janë një gluhë, a janë dy gluha?” – e pyet Di Maggio Zaccaton.

“No”, ia kthen ajo italisht.

“Jo!?”- habitet ai.

“Janë dy gluha differenti. E d i pse, pse për mua livello sociolinguistico, la base asht arbërishti....”, vazhdon ajo t’ia shpjegojë kolegut nivelin e ndryshimeve të gjuhës së arbëreshëve dhe shqipes së sotme të trevave shqiptare në Ballkan, e që sipas saj bëjnë që arbërishtja e “shkipja” – sikur i referohen ata – të konsiderohen dy gjuhë të ndryshme. Thonë se arbërishtja e kohës së shkuarjes së shqiptarëve para më shumë se pesë shekujsh është ruajtur sot e kësaj dite. “A këtu ndërron”, thekson Zaccato, e cila merr aprovimin e Di Maggios: “Ndërron”.

Gjuha e “gjakut dhe e nanës”

Një tjetër arbëresh i është kthyer seriozisht mësimit dhe studimit të asaj që e quan “gjuha e nanës”.

“Arsyeja pse unë vij këtu në seminar është origjina ime, sepse nëna ime është arbëreshe dhe baba shiptar, dytë janë. Edhe unë studioj shumë, sepse unë mendoj se gjuha është një element shumë ‘importante’ për identitetin”, thekson Alessandro Gjoka, analist i financave në Milano. “Kam origjinën, kam gjakun shiptar, por nuk e kuptoj shumë, por e flas shipen. Kjo është arsyeja se pse unë jam këtu”.