Arbëri

Abdixhiku propozon të shkurtohet fushata nga 30 në 10 ditë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u ka bërë thirrje liderëve të partive për të ndërtuar një pakt zgjedhor.

Ai ka thënë se kjo duhet të bëhet bazuar edhe në situatën me COVID-19 në Kosovë, rritjen e numrit të të vdekurve dhe atyre të infektuar.

Abdixhiku ka thënë se Kosova tash e sa kohë është renditur si vendi me më së shumti vdekje për kokë banori në gjithë botën. Sipas tij, vetëm në 10 ditët e fundit, plot 189 kosovarë kanë humbur jetën në ballafaqim me Covid-19. Ai ka thënë se nga 1 bashkëqytetar tonin, të ri e të moshuar pa dallim, për çdo orë po e humbim në këtë ballafaqim.

“Po gjatë 10 ditëve të fundit, mbi 17,420 kosovarë kanë rezultuar pozitivë, që do të thotë se, fatkeqësisht, ritmi i vdekjeve do të vazhdojë edhe për një kohë. Këtë ritëm duhet ta ndalojmë. Përtej përgjegjësive shtetërore që Qeveria i ka, përgjegjësi që duhet t’i ushtrojë me plot kompetencë, përgjegjësi për të cilat do të mbahet për llogari gjithsesi, sot po ju drejtohem secilit nga ju, si kryetarë partish, që të kapërcejmë mbi veten, ti kapërcejmë dallimet e të ndërtojmë një pakt zgjedhor”, ka shkruar ai.

Abdxhiku ka propozuar që “me vullnet të plotë politik, përkundër rregullativës ligjore në vend, të shkurtojmë fushatën zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë. Ta bartim përballjen politike nga terreni ku grumbullojmë zakonisht me qindra e mijëra njerëz përnjëherë, në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale”.

Gjithashtu të udhëzojnë të gjithë kandidatët e tyre, që çdo aktivitet paraelektoral e elektoral nga sot e deri më 17 tetor, ta bëjmë konform rregullave strikte të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Pra sipas tij, të kenë aq njerëz aq sa lejohet, të respektohet distanca, e të respektohen masat e tubimeve të vogla siç udhëzohemi nga ekspertët tanë.

“Kështu, ne jo vetëm që shpëtojmë jetë, jo vetëm që i japim kohë vaksinimit masiv – që duhet të ndodhë – por solidarizohemi njëmend me mijëra mjek e staf shëndetësor që tash e 18 muaj pandalshëm po përballen me sfidën më të madhe njerëzore në 100 vitet e fundit. Po këtë kohë, ta shfrytëzojmë për një fushatë tjetër, atë të ngritjes së vetëdijes publike për procesin e vaksinimit. Në rast të një pajtimi eventual me këtë propozim, sugjeroj ta ftojmë Parlamentin nga pushimi, të aprovojmë një rezolutë në këtë drejtim, e të japim shembull të mirë për vendin, qytetarët tanë e secilin tjetër të përfshirë në këtë drejtim. Në fund, është shëndeti publik, jetët e njerëzve tanë, ajo që mbanë rëndësi. Shpresoj e pres përgjigje pozitive në këtë drejtim. Këtë mesazh do ta pranoni secili edhe në formë të shkruar”, ka shkruar ai.

 

FTESË PUBLIKE LIDERËVE TË PARTIVE PARLAMENTARE I nderuar kryetar i LVV-së, z. Kurti, I nderuar kryetar i PDK-së, z....

Posted by Lumir Abdixhiku on Thursday, September 2, 2021