Arbëri

Ekonomistët i vlerësojnë të ekzagjeruara kërkesat e gastronomëve për kompensim

Nga e diela do të hyjnë në fuqi masat e Qeverisë për kufizim të orarit të punës dhe kufizim të shfrytëzimit të hapësirave nga bizneset e gastronomisë. Shoqata e gastronomëve ka kërkuar nga Qeveria që paralelisht me këto masa kufizuese t’i kompensojë për humbjet. Mirëpo, ekonomistët i shohin të ekzagjeruara kërkesat e tyre, derisa vlerësojnë se gastronomët nuk janë sektori i vetëm që po pëson nga masat.

Kufizimi i orarit dhe punës së gastronomisë vetëm në ambiente të hapura i ka shtyrë këta të fundit që të shtrojnë disa kërkesa për kompensim nga shteti.

Mes tjerash, gastronomët po kërkojnë subvencionimin e gjysmës së pagës mesatare të punëtorëve për 3 muaj radhazi si dhe mbulimin e qirasë, rrymës, ujit dhe mbeturinave për këtë vit dhe vitin e kaluar, për bizneset që kanë zhvilluar aktivitet të pjesshëm ekonomik.

Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve thotë se masat kufizuese do të jenë të padrejta ndaj tyre, nëse paralelisht nuk ka përkrahje nga Qeveria.

“Çfarë ka qenë e papranueshme apo jo e drejtë në raport me bizneset e gastronomisë është që kjo mbyllje po bëhet pa një vizion për mbështetje financiare, qoftë financiare qoftë me politika fiskale nga ana e shtetit. Duke qenë në mëshirën e temperaturave atmosferike dhe metrave katrorë të terrasave natyrisht që është një gjasë e madhe që bizneset do të kenë vështirësi”, është shprehur ai.

Por, nuk janë vetëm gastronomët ata që janë prekur e do të preken nga masat e Qeverisë, sidomos nga kufizimi i orarit të punës deri në orën 21:30.

Ekonomisti Erton Bega, thotë se edhe biznese të tjera kanë pësuar humbje nga vendimet e Qeverisë për parandalim të përhapjes së koronavirusit dhe sipas tij, nëse do të ketë kompensim për gastronomët, duhet të ketë edhe për sektorët e tjerë ekonomikë në mënyrë që të mos ketë pabarazi.

“Kërkesat e tyre, një pjesë të konsiderueshme i shoh të drejta disa të tjera të ekzagjeruara, sepse, në rast se përmbushen të gjitha, atëherë kemi një favorizim të kësaj industrie kur dihet që kërkesat e tyre janë që të mbulohen shpenzimet në dy vitet e fundit, ku rrjedhimisht edhe industri tjera, sektorë të tjerë ekonomikë nuk kanë punuar dhe qeveria duhet të jetë e drejtë në shpërndarjen e ndihmave ekonomike për bizneset”, ka thënë Bega.

Masat pritet të hyjnë në fuqi nga e diela e 28 gushtit dhe të zgjasin së paku dy javë.