2 perditesime
23:07

Rashiq paralajmëron tërheqjen nga politika, thotë se shkaku i tij po pësojnë përkrahësit

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, ka paralajmëruar tërheqjen e plotë nga politika. Ka thënë se nuk është në gjendje të marrë barrën që serbët e Kosovës të pësojnë vetëm pse i përkrahin idetë e tij.

“Nëse ju duhet të garoni në një garë ku mund të humbni gjithçka, e mund të humbni edhe jetën, e nëse institucionet që i zbatojnë zgjedhjet s’janë në gjendje të ofrojnë sigurinë dhe mundësinë e zgjedhjes me të vërtetë të çdo qytetari, ndoshta është koha të mendohet jo vetëm për pushim, por edhe për pensionim”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së të premten.

“S’jam njeri që i nënshtrohem presioneve, por a e dini sa e vështirë është që të vijnë njerëz që kanë humbur vendet e punës apo janë hequr nga listat sociale. Ju e ndieni veten të obliguar t’i paguani ato humbje që kanë pasur njerëzit dhe llogariteni se sa kushton kjo në formën kur ju duhet të merrni barrën për të gjithë ata që janë të diskriminuar apo kanë pas pasoja financiare - që të përkujdeseni për ata. S’është e mundshme dhe sinqerisht pasi që, e para nuk po dëshiroj që të shoh edhe më shumë njerëz të sakrifikuar apo disiplinuar që të jenë simpatizues të ideve të mija, dhe e dyta nuk shoh kurrfarë ndryshimi në pozicionet e institucioneve të Kosovës për sigurimin e kushteve për zgjedhje normale”, ka shtuar Rashiq.

23:03

Rashiq: Dështimi në veri si pasojë e bashkëpunimit Serbi-Kosovë, nën heshtjen e BE-së

Sipas liderit të Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, institucionet e Kosovës, pushteti në Serbi dhe heshtja e Bashkimit Evropian kanë fajin për mosintegrimin e veriut. Ai ka thënë se zyrtarët e Bashkimit Evropian e kanë lënë “demokracinë nën tepih pasi atyre u intereson vetëm çmimi ‘Nobel’”.

Duke folur për mospjesëmarrjen e tij në zgjedhjet lokale për shkak të presioneve që u bëhen serbëve, Rashiq ka thënë se faji është edhe te institucionet e Kosovës për shkak se “s’kanë arritur të kuptojnë që serbët nuk kanë alternativë”.

“Prishtina e institucionet e saj që 21 vjet, ose 14 vjet, s’po mundësojnë një bazë apo sistem funksional. Pjesërisht funksionon këtu, por shumë pak në veri”, ka thënë ai duke shtuar se tre palë kanë “fajin e madh”.

“Kjo që e kam thënë, kjo gjendje deri sot, s’është krijuar brenda nate. Është krijuar me një apo disa veprime sistematike, jo vetëm të këtij regjimi në pushtet aktual në Beograd, por në bashkëpunim me institucionet e Prishtinës dhe me së paku me heshtjen e institucioneve të Brukselit. Të gjitha këto kanë fajin e madh, përgjegjësi të madhe për gjendjen që kemi sot. Krejt ndërlidhen se a është përgatitur çështja teknike e Marrëveshjes së Brukselit në harmoni me Kosovën apo jo. Kjo ka qenë prapë gabim që s’ka qenë vëmendja që të nënshkruhet, por ka pasur presion që të nënshkruhet dhe më pas ‘hajt se shohim çka ndodh’”, ka deklaruar ai.

Duke thënë se mospjesëmarrja e tij në zgjedhje ka shkaktuar qetësim të situatës te serbët për shkak të “mungesës së presioneve”. Te presionet ka përmendur edhe vrasjen e dy politikanëve serbë.

“S’është faji vetëm i regjimit të Beogradit, institucioneve të Kosovës e heshtjes së Brukselit, që për ambicie personale e kanë lënë demokracinë nën tepih vetëm për shkak që kanë menduar se mund të bëjnë ‘një marrëveshje historike’. E që më pas përfaqësuesit e Brukselit të dalin kandidatë për çmimin ‘Nobel’. Për shembull Mogherini kur e ka udhëhequr atë proces e ka pas interesimin e vetëm, interesin personal. Prandaj ajo, apo ata, kanë sakrifikuar krejt disa shtylla të demokracisë te serbët e Kosovës, vetëm për shkak të ambicieve personale që në fund kanë treguar se ishin false”, ka shtuar Rashiq.

22:53

Lista Serbe s’ka shans të mos marrë pjesë në zgjedhje, thotë Rashiq

Politikani serb në Kosovë, Nenad Rashiq, e ka quajtur fals paralajmërimin e Listës Serbe se mund t’i bojkotojë zgjedhjet lokale pasi deputetit të saj, Ivan Todosijeviq, iu konfirmua dënimi pasi masakrën e Reçakut.

Ditë më parë Apeli konfirmoi dënimin e Todosijeviqit. Megjithatë, kundër dënimit doli Lista Serbe e cila po pretendon se me vendimin e Apelit në Prishtinë është shkelur Marrëveshja e Brukselit e arritur më 2013. Sipas pretendimeve të tyre, marrëveshja parashihte që për të gjykuar të gjitha rastet e serbëve duhet themelohej një panel gjyqtarësh me shumicë serbe. Shkelje të marrëveshjes e kanë konsideruar edhe nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, sipas interpretimit të juristëve në Kosovë, nuk ka pasur shkelje, pasi marrëveshja s’i referohet nacionalitetit, por komunave në veri.

“Me vendimin apo pa vendimin e Apelit, Lista Serbe dhe përfaqësuesit e saj s’ka shans të mos marrin pjesë. Kjo për shkak të një arsye të thjeshtë. E duan shumë apo tepër paratë dhe fuqinë. Çfarëdo e thënë që të jetë s’ndikon në vullnetin apo dëshirën e tyre që të marrin pushtetin e më shumë para. Kjo që e kanë përdorë një formë ‘gabimi’ apo mosrespektimi të një pjese të marrëveshjes së Brukselit konsideroj se ka hy gabim dhe e kanë pa mundësinë për një manovrim që ta kritikojnë Prishtinën e të gjejnë arsye se të bëjnë kinse një kushtëzim të zgjedhjeve, por jo në formën që në të vërtetë do të realizohet ai kushtëzim, por që e shohin se s’ka tjetër që veçse ai vendim më së paku të analizohet se a është bërë në përputhje me marrëveshjen”, ka thënë ai.

Në Interaktiv të KTV-së, Rashiq ka dhënë dy arsye përse, sipas tij, Lista Serbe s’do t’i bojkotojë zgjedhjet.

“Do të marrin pjesë absolutisht. Tepër e duan paranë dhe fuqinë dhe pushtetin dhe 100 për qind do të marrin pjesë në zgjedhje. Para disa vitesh, prapë për Todosijeviqin, kryetari i partisë Rakiq u shpreh se nëse s’ndryshohet vendimi të gjithë serbët do të dalin nga institucionet”, ka shtuar ai.

Vetë Rashiq ka thënë se e sheh të gabuar vendimin, duke shtuar se nëse ka paqartësi ajo mund të dërgohet në Kushtetuese për verifikim.