Prokuroria Themelore në Ferizaj ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se Prokuroria dhe gjykatat u treguan të papërgjegjshme në rastet e mëparshme të Dardan Krivaqës, i dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj.
Prokuroria përmes një komunikate ka thënë se deklaratat e tij lidhur me Krivaqën janë të paqëndrueshme, “shfaqin mosnjohuri elementare profesionale, janë krejtësisht tendencioze dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit për përfitime politike”.
I ka bërë thirrje bartësve të institucioneve ekzekutive që të përmbahen në deklarime, siç thuhet në komunikatë, të pamatura, pakonfirmuar dhe tendencioze.
“Për dijeninë e ministrit të Punëve të Brendshme, Prokuroria është organ kushtetues ndjekës dhe kompetencat e ndara duhet t’i dallojë dhe aq më shumë edhe t’i kuptojë. Po ashtu, ia bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Ferizaj çdo herë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj të pandehurit D.K dhe se në të gjitha rastet ndaj tij ka ngritur aktakuza dhe të njëjtat i ka proceduar në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet në reagim.