Arbëri

Gashi: Organet e drejtësisë shpesh nuk kanë vepruar kur gratë kanë raportuar për dhunë në familje

Hulumtuesi nga Instituti I Kosovës për Drejtësi, Leotrim Gashi, ka thënë se nga hulumtimet që kjo organizatë bën, ka gjetur se në raste të ndryshme organet e drejtësisë nuk kanë vepruar kur është denoncuar dhuna në familje nga gratw.

“IKD del me të gjetura. Fatkeqësisht po bëhen më bujë në rastet kur po ka fatkeqësi. Është një zinxhir i secilit institucion që duhet të ndërmarrë veprimet e duhura. Po ka më shumë reagim pas fatkeqësive, e më pak reagim për parandalim të kryerjes së veprave penale. ne kemi pasur jo vetëm një rast, por gati çdo ditë raste ku gratë raportojnë se ka dhunë në familje ndaj tyre, fizike apo psikike, por tregojnë se policia apo organet e tjera nuk kanë ndërmarrë veprimet e duhura për trajtimin e raportimeve të tyre”, ka thënë ai në Interaktiv të KOHËS.

Ai shtoi se ka dështim edhe të akterëve politikë për të ndërmarrë veprime që çojnë në parandalimin e kryerjes së veprave penale.

Gashi ka folur edhe për rastin e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj dy ditë më parë. Ai ka thënë se keqmenaxhimi i lëndëve i të dy të dyshuarve në gjykata nga viti 2015 ka krijuar pasoja, siç është ky rast.

“Mosprocedimi i rasteve që lajmërohen në polici krijon pasoja të tilla, siç janë krijuar në rastin konkret. Po të kishim veprime konkrete nga policia, prokuroria e gjykata, nuk do të kishim një vdekje të një 18-vjeçareje. Nëse prokuroria do të ngriste aktakuza dhe gjykata të shqiptonte dënime, sigurisht se këta të dyshuar ndoshta do të ishin duke vuajtur ato dënime dhe nuk do të kishim një vdekje më shumë”, tha Gashi.