Arbëri

Nagavci: Mësimi pritet të fillojë më 1 shtator

Descriptive Text

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se procefsi mësimor pritet të nisë më 1 shtator, siç është paralajmëruar.

Ajo ka treguar se synimi është të mbahen shkollat e hapura dhe mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore.

Nagavci ka treguar se në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, ka nënshkruar udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2021/22.

“Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, kam nënshkruar Udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2021/2022. Ashtu siç kemi paralajmëruar, mësimi pritet të fillojë më 1 shtator. Ne synojmë të mbajmë shkollat të hapura dhe mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore. Kjo edhe për shkak se, të gjitha studimet tregojnë se pasojat tek fëmijët për shkak të mbylljes së shkollave kanë qenë të mëdha. Për më tepër, është konstatuar se mbyllja e shkollave vitin e kaluar ka shkaktuar pengesa në qasjen në mësim të rregullt, por edhe pasiguri e stres tek mësimdhënësit në aplikimin e metodave për mbështetjen e nxënësve për edukimin në distancë. Bazuar edhe në rekomandimet për edukimin në kohë të pandemisë COVID-19 të lansuara në Qershor të vitit 2021 nga Grupi Këshillues Teknik (themeluar nga Drejtori Regjional i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për regjionin e Evropës), objektiv parësor duhet të jetë të mbajturit e shkollave të hapura dhe funksionale, dhe strategjitë shoqëruese siç janë aplikimi i masave mbrojtëse nga infektimi”, ka shkruar Nagavci në Facebook, që sërish u ka bërë thirrje mësimdhënësve dhe punonjësve administrativ që të vaksinohen. “Në mënyrë që të mos na përsëritet situata e vitit të kaluar, zgjidhja e vetme është vaksinimi i mësimdhënësve dhe punonjësve administrativ”.