Deputeti shqiptar i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, i ka reaguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pasi u shpreh se e sheh të pakuptimtë dialogimin me kryeministrin e Kosovës “sepse ai flet vetëm për të shkuarën dhe jo për të ardhmen”.
Në një postim në Facebook, duke komentuar deklaratën e sotme të Vuçiqit se dialogu është në dobi të serbëve sepse ndikon në ulje tensionesh ndërmjet serbëve e shqiptarëve, Kamberi ka thënë se Serbia po dëshiron dialog vetëm sipas dëshirave të veta. Këtu ai ia ka kujtuar kërkesën e Luginës së Preshevës për dialog me qeveritarët serbë.
“Ne, të zgjedhurit e Luginës, ju presim me vite në tavolinën e dialogut nga i cili keni ikur z.Vuçiq. Meqë qenkeni për dialog të tillë, le ta rifillojmë dialogun edhe ‘mbi të ardhmen në dobi të uljes së tensioneve midis shqiptarëve dhe serbëve’. Pra, me Luginën dhe për Luginën s'doni fare "dialog e negociata" dhe as ‘ndikim në uljen e tensioneve midis serbëve dhe shqiptarëve’. E në anën tjetër dëshironi dialog në Kosovë dhe për Kosovën vetëm sipas dëshirave tuaja”, ka shkruar ai.