Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të shtyjë zgjedhjet lokale për shkak të situatës alarmante me COVID-19.
Në një postim në Facebook, Syla ka thënë se zgjedhjet duhet të shtyhen për gjashtë muaj për shkak të numrave “skandaloz të të infektuarve dhe të vdekurve”.
Të shtunën u regjistruan rekord rastesh të reja, 2279. Vdiqën tetë persona. Shifrat e larta të sotme janë vazhdimësi e javës së fundit që pareshtur ka thyer rekorde të zeza.
“Presidente jemi për marre e gjynah, për menaxhim të Pandemisë, Ju lutem jeni bija e një punëtoreje të respektuar shëndetësore, e dini pra çka do thotë kjo. Jemi lodhur, dërmuar, ofenduar e të neglizhuar...andaj veproni. Nuk po kërkoj takime, foto të çastit e lëmoshë, po kërkoj njerëzi dhe ndjenjë. Kryetare anuloni zgjedhjet lokale dhe formoni sa më shpejt nga ju grupin për shpëtim nacional nga pandemia ...jemi keq...”, ka përfunduar postimin e tij Syla.
Zgjedhjet lokale janë caktuar për datën 17 tetor. Në mes të pandemisë, Kosova pati organizuar edhe zgjedhjet e përgjithshme, në muajin shkurt.