Arbëri

Gashi: Kryeministër ku je gjersa po të ngriten struktura paralele në veri

Vënia e gurthemelit të Universitetit paralel të Prishtinës në veri të vendit ka nxitur reagime nga partitë opozitare. Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se për këtë veprim nuk ka “asnjë fjalë dhe zero përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës”.

Gashi ka thënë se kryeministri Albin Kurti po ka interes tek votat, për të cilat, sipas tij, Kurti pati shumë fjalë e tash as edhe një reagim.

“Kryeministër, ku je? Gjersa po të ngritën struktura paralele, ti ku je? Serbia po investon mbi 6 milion euro, për ndërtimin e objektit prej 10.575 metra katrorë, të të ashtuquajturit ‘Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë’”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, PDK-ja nga ana tjetër, e ka konsideruar kapitullim të Kurtit lejimin e vënies së gurthemelit. Nga kjo parti u tha se nisja e ndërtimit të këtij universiteti me buxhet të Serbisë është dështim dhe rrezik për jofunksionalitet afatgjatë të veriut të Kosovës.