Partia Demokratike e Kosovës e ka konsideruar kapitullim të kryeministrit Albin Kurtin lejimin e vënies së gurthemelit të Universitetit paralel të Prishtinës në veri të vendit.
Rashit Qalaj nga kjo parti ka thënë se nisja e ndërtimit të këtij universiteti me buxhet të Serbisë është dështim dhe rrezik për “jofunksionalitet afatgjatë të asaj pjese të Kosovës”.
“Fatkeqësisht, krekosjet e dikurshme kuq e zi e me protesta si opozitar zhurmaxhi kur futeshin njësitë speciale të policisë së Kosovës në veri te Kosovës, kur ndalej treni serb e organizoheshin zgjedhjet e Kosovës, kanë marrë fund turpësisht dhe pikërisht në momentin kur tani e ka gjithë fuqinë dhe pushtetin për të vepruar. Por kryeministër, pafuqinë tënde në veri të Kosoves përdore të paktën duke kërkuar llogari tek vartësit e tu, te Ministri i Brendshëm dhe Ministrja e Arsimit, se si lejuan që ky skandal i përmasave të rrezikshme të ndodhë para syve dhe në mes të ditës, në shpërfillje të plotë të sovranitetit shtetëror”, ka shkruar Qalaj në Facebook.
Duke i kërkuar shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, Qalaj ka thënë se Kurti po jep sinjale se “po e kthen Serbinë në Kosovë”.
“Është momenti që dikush të jep përgjegjësi. Duhet shkarkim i menjëhershëm i ministrit Rakiq! Ende s’duam të besojmë se Albin Kurti po e kthen Serbinë në Kosovë, edhe pse paralajmërimet janë ogurzeza - njëherë duke mos e vendosur reciprocitetin, pastaj duke larguar barrierat tregtare për materialet ndërtimore nga Serbia dhe sot me universitetin paralel serb në veri të Mitrovicës. Po del se për Albin Kurtin, në fakt, Serbia po kalojka!” ka shtuar ai.
Serbia sot nisi ndërtimin e objektit të “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.
Investimi në mbi 6 milionë euro do të bëhet nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës për Kosovën, që funksionon në kuadër të saj.
Drejtori i kësaj zyreje Petar Petkoviq, hodhi gurthemelin për ndërtimin e Universitetit të premten (20 gusht) në Mitrovicën veriore.
“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Vuçiq”, tha Petkoviq.
Ndërtesa do të ketë 10.575 metra katrorë, me kapacitet për pranimin e deri në 10.000 studentëve ndërsa në kuadër të këtij Universiteti do të funksionojnë: Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Matematikës, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti Ekonomik.