Partitë politike në ditën e mbylljes së afatit për dorëzimin e kandidaturave kanë publikuar emrat e kandidatëve të tyre për kryetarë të komunave.
Nga LDK-ja kanë thënë se për herë të parë do të garojnë tri gra për kryetare të komunave.
“LDK-ja tash ka dorëzuar edhe zyrtarisht gjithë kandidatët për kryetar e kryetare në nivel komunal. Për herë të parë në Kosovë kemi tri gra kandidate për kryetare nga një parti politike. Lajm jashtëzakonisht i mirë. Kemi përfshirje të reja në lista të asamblistëve në nivel të komunave”, tha Sibel Halimi e LDK-së kandidate për kryetare të Ferizajt.
LDK-ja në komunat si Skenderaj e Han i Elezit nuk ka i dorëzuar kandidaturat për kryetar, por vetëm listën për asamble komunale, pasi e tillë ishte kërkesa e degëve të partisë në këto komuna.
Ndërkohë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet lokale do të garojë me 21 kandidatë për kryetar komune.
“Qëllimi ynë është ta forcojmë ekonominë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, të rrisim zhvillimin, mirëqenien, ta forcojmë demokracinë në vend edhe përmes kualitetit të ofertës të zgjedhjeve komunale”, tha kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Prishtina pritet të jetë kryeqendra e ballafaqimit. Për AAK-në do të garojë me vëllain e Ramushit, Daut Haradinaj, që në garë do të ketë edhe ministrin aktual të Shëndetësisë, Arben Vitia. Për këtë të fundit kreu i AAK-së tha se është një porosi e keqe që ka dërguar Vetëvendosjen në kohën kur vendi po përballet me rritje të rasteve kundër Covid-19.
Pas përçarjeve të PDK-së në Drenas, ku Driton Ajazi ishte kandidati i propozuar nga dega për kryetar, por më pas qendra kishte konfirmuar si kandidat Ramiz Lladrovcin, ky i pari ka aplikuar me iniciativën “Dekada e re për Drenasin”
“Besoj që kjo do të jetë adresa e vetme e të gjithë votuesve të PDK-së në Drenas, ata votues që na kanë qëndruar besnik tash e 20 vjet do të jetë adresa e vetme e gjithë qytetarëve të Komunës së Drenasit, atyre qytetarëve që ua duan të mirën Drenasit dhe zhvillimin e Drenasit, sepse gjatë 5 vjetëve të fundit Drenasi ka ngecur në cdo sferë”, tha Ajazi.
Ndërkohë kandidati i Vetëvendosjes në Skenderaj ka hequr dorë nga gara, duke thënë se nuk mund t’i hyjë garës me anëtar të familjes Jashari.