Arbëri

MSH-ja e SHSKUK-ja i ruajnë si “top-sekret” të dhënat se sa janë të furnizuara me barna

Furnizimi stabil me barna e material shpenzues të Listës Esenciale është një nga premtimet e fushatës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje e pastaj është bërë pjesë e programit të Qeverisë Kurti 2.

Por deri tani është dëshmuar e kundërta.

Asnjë kontratë, përveç asaj të insulinave, nuk është nënshkruar për këto produkte.

Në fillim të mandatit të ministrit Vitia, Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate pati “alarmuar” për gjendjen me barna, të cilën e kishte trashëguar nga ish-ministri Zemaj.

Por vetë pas rreth 5 muajve mandat, kjo ministri jo vetëm që nuk ka arritur ta përmirësojë furnizimin me barna në sistemin parësor, por edhe po i mban si sekret të dhënat e furnizimit.

Me 15 korrik KOHA përmes një email ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që t’u vihen në dispozicion këto të dhëna.

Në email kanë qenë të përfshirë Zyra për Media, ministri Arben Vitia, sekretari Naim Bardiqi dhe kabineti i ministrit Vitia.

Por nuk kanë marrë përgjigje.

Kërkesa është përsëritur tri herë, por askush nuk është përgjigjur.

Një muaj pas është kontaktuar sërish Ministria e Shëndetësisë dhe nga ta është kërkuar që nëse informata se mbulueshmëria me barna është konfidenciale, atëherë t’i përcillet një kopje e vendimit KOHËS, që arsyeton se pse një e dhënë e tillë nuk u jepet mediave.

Por sërish Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur. Në të kaluarën ky institucion një të dhënë e ka bërë të ditur sa herë është kërkuar.

Si “top-sekret” përqindjet me furnizim me barna e material shpenzues është duke i cilësuar edhe ShSKUK-ja.

Më 3 gusht këtij institucioni i janë kërkuar të dhënat për furnizim me barna, citostatikë dhe material shpenzues.

Për dallim nga MSh-ja, ata kanë kthyer përgjigje, por kanë deklaruar se nuk mund ta dinë se sa është përqindja e furnizimit.

Një burim i ka thënë KOHËS se furnizimi në shumë klinika është në pikë kritike, por ky institucion nuk i ka ndarë këto të dhëna.

“Lista Esenciale është e paraparë për shfrytëzim nga tri nivelet e sistemit shëndetësor, pra jo vetëm për ShSKUK-në, prandaj edhe kalkulimi i përqindjes se realizimit të furnizimit nga Lista Esenciale nuk mund të gjenerohet vetëm për ShSKUK-në”, thuhet nga SHSKUK-ja.

Por një gjë e tillë nuk qëndron. ShSKUK-ja në të kaluarën sa herë që KOHA ka kërkuar të tilla të dhëna ata i kishin bërë publike.

Madje në përgjigje i bashkëngjitnin raportet klinikë për klinikë e po ashtu tregonin se çka mungonte, si në këtë rast.

Mungesa e furnizimit me barna të Listës Esenciale është problem kronik i shëndetësisë. Pavarësisht se secila qeveri ka premtuar se do të menaxhohet ky problem, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.