Albert Krasniqi nga Democracy Plus ka thënë se në zgjedhjet lokale të tetorit përcaktues për fitoren e ndonjë kandidati mund të jenë persona që s’do të duhej të kishin të drejtën e votës.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme bie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, ndërsa procedurat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votim jashtë vendit, bien në kundërshtim me të dyja.
Krasniqi ka deklaruar se Kushtetuta ia njeh të drejtën e votës dhe kandidimit vetëm personave që kanë shtetësi të Kosovës.

Ndërkaq Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ua njeh të drejtën e votave edhe personave që e kanë lëshuar Kosovën nga vitit 1998, dhe atyre që e kanë fituar statusin e refugjatit nga vitit 1995, me kusht që t’i plotësojnë kriteret ligjore për të qenë qytetarë të Kosovës. Për t’u komplikuar edhe më shumë, sipas Krasniqit, procedurat e KQZ-së për votim jashtë vendit, “në kundërshtim edhe me Kushtetutën edhe me Ligjin, i njohin të drejtën e votës të gjithë atyre të cilët i plotësojnë kriteret për të qenë shtetas, duke përfshirë personat të cilëve njëri prind u ka lindur në Kosovë, apo shtetasve të huaj të cilët për pesë vite radhazi kanë jetuar në Kosovë”.
Këto mospërputhje, Krasniqi thotë se mund të bëjnë që në rastet kur diferenca e votave ndërmjet kandidatëve për kryetarë komunash të jenë të ngushta, fituesi të përcaktohet nga persona që nuk do të duhej të kishin të drejtën e votës. Këtu ka marrë shembull Prishtinën, kur në zgjedhjet e fundit lokale, më 2017 kur Shpend Ahmeti, atë kohë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, fitoi ndaj Arban Abrashit të Lidhjes Demokratike të Kosovës me diferencë prej më pak se 400 votash.
Krasniqi ka thënë se implikimet janë edhe më të mëdha se vetëm mundësia e përcaktimit të fituesit.
“Të gjithë personat emri i të cilëve paraqitet në Listën e Votuesve, kanë të drejtë të jenë edhe kandidat në zgjedhje. Pra, mund të kemi deputet apo kryetar të komunës, të huaj të cilët nuk kanë shtetësi të Kosovës dhe nuk kanë aplikuar asnjëherë për një të tillë!” ka thënë ai.
Si zgjidhje ai ka thënë se duhet të ndryshohet Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Procedurat e KQZ-së për vlerësimin e kritereve të zotësisë juridike për votim jashtë vendit, duke i harmonizuar me Kushtetutën. Për zgjedhjet aktuale ka thënë se e vetmja mundësi për të eliminuar raste të tilla është “kundërshtimi i Listës së Votuesve”, nëse identifikohen rate të tilla.
Sipas Krasniqit, qëllimi fillestar me këtë veprim ka qenë që t’u mundësohet serbëve jashtë Kosovës votimi, por “mandej është keqpërdorë edhe prej kategorive të tjera”.
“Në zgjedhjet e fundit, rreth 14 mijë persona që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës (kryesisht nga Gjermania) janë aprovuar të votojnë përmes postës nga jashtë vendit. Për këto zgjedhje është vendosur që të verifikohet dhe të mos u lejohet”, ka shtuar ai.
Në uebfaqen e KQZ-së te sektori i pyetjeve të shpeshta, një nga pyetjet është se si mund të votohet nga jashtë shteti nëse personi s’ka asnjë dokument identifikimi të Kosovës, të UNMIK-ut e as të ish-Jugosllavisë. Përgjigja e KQZ-së është se atij i mundësohet të regjistrohet suksesshëm për të votuar me kushtin që njëri prind të jetë shtetas i Kosovës e që të jepet një kopje e dokumentit të shtetit ku jetoni, si dhe kopja e dokumenteve të lëshuara nga Kosova për prindin. Personi që s’është shtetas i Kosovës e që e ka njërin prind shtetas të Kosovës mund të votojë nëse ofron edhe një kopje të dokumentit të shtetit ku jeton vetë e në të dëshmohet emri i prindit, për të cilin është dorëzuar kopja e dokumentit të Kosovës.
Po ashtu ekziston mundësia që një person të votojë edhe me kushtin që asnjëri prind i tij të mos jetë shtetas i Kosovës, por se një nga ta të paktën të jetë i lindur në Kosovë. Në këtë rast duhet të dëshmohet me kopje të dokumenteve se prindi i tij ka lindur në Kosovë.

Sipas raportit final për zgjedhjet lokale të 2017-s, KQZ-ja ka bërë të ditur se pati pranuar 11 mijë e 813 aplikacione për regjistrim për votues nga jashtë. Nga ta 10 mijë e 476 ishin regjistruar të suksesshëm, ndërsa nga 1337 aplikacionet që u refuzuan shumica ishin për mosdorëzim të dokumenteve të duhura.
KQZ-ja ka qenë e paqasshme pasditen e së shtunës.