Nehat Koqinaj nga Agjencia e Emergjencave ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës të jenë më bashkëpunues me autoritetet në reagimet ndaj situatave emergjente, sikur ajo e zjarreve kohëve të fundit.
Ai ka thënë se një nga faktorët kyç në efektshmërinë ose jo të reagimit në situata emergjente është numri i pakët i zjarrfikësve, por ka thënë se me vlerë të madhe është edhe “ndërveprimi i vogël ndërkomunitar”.
“Komuniteti duhet të jetë proaktiv me ngjarjen, me fatkeqësinë. Kjo i bie që vullnetarët, lagjet apo fshatrat dhe të gjithë që preken në një mënyrë apo tjetër duhet të ndërveprojnë e të mos rrinë vëzhgues masivë, siç ka ndodhur në shumë raste. Zjarret kryesisht po ndodhin nga dora e njeriut”, ka thënë ai duke shtuar se qytetarët duhet të kenë bashkëpunim më të madh edhe në situata të tjera emergjente, siç është ajo e vërshimeve.
Koqinaj në emisionin Sot në KTV ka thënë se rajoni i Rugovës është më i prekuri nga zjarret. Ai ka thënë se edhe të martën ka pasur lajmërim për riaktivizim të zjarreve.
Ka lavdëruar gatishmërinë e Forcave të Sigurisë së Kosovës për reagime në situata të tilla, duke thënë se këtë e kanë dëshmuar edhe me ndihmën dhënë Shqipërisë në ditët e fundit.